Sot në Ditën Kombëtare të Diasporës, anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Agjencia Kombëtare e Diasporë organizuan disa aktivitete duke e hapur serinë me një ekspozitë unike me veshje tradicionale shqiptare, një pasqyrë e pasurisë sonë kulturore që fatmirësisht ruhet dhe trashëgohet me krenari nga brezat e rinj.
Kjo ekspozitë është një kujtesë e gjallë e trashëgimisë sonë kombëtare, që diaspora shqiptare e ruan dhe promovon me dashuri. Nga detajet e punimit artizanal te simbolikat e thella kulturore, çdo veshje tregon historinë e një kombi që kurrë nuk harron rrënjët e veta.
Faleminderit të gjithë atyre që kontribuojnë për të ruajtur dhe përcjellë këtë pasuri te brezat e rinj.
Diaspora jonë është ambasadorja më e denjë e traditave shqiptare!
Më tej u organizuan takime shumë të rëndësishme me Presidentin e Republikës së Shqipërisë Sh.T.Z. Bajram Begaj; Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Elisa Spiropali; Ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, z.Taulant Balla dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z.Ilirjan Celibashi.
Mbrëmja do të mbyllet me një koncert gala të titulluar “Arti në Diasporë”, me veprën e Tefta Tashko Koços, me synim ndërlidhjen e të shkuarës me të tashmen e artit shqiptar në diasporë duke ravijëzuar lidhjen e pandërprerë të artistëve shqiptarë me atdheun e tyre.