Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Ermonela Xhafa, zhvilloi një takim me z. Lutfi Vata, Kryetari i Lidhjes së Mësuesve në Mbretërinë e Bashkuar dhe Drejtori i Shoqatës Ardhmeria.

Gjatë këtij takimi, u diskutua për bashkëpunimin e ardhshëm dhe mundësitë për të koordinuar së bashku për realizimin e objektivave, si dhe për mbështetjen që mund të japë Agjencia Kombëtare e Diasporës ndaj komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar. Tema kryesore e bisedës ishte bashkëpunimi i Lidhjes së Mësuesve dhe Shoqatës “Ardhmëria” me Agjencinë Kombëtare të Diasporës.

Z. Vata falenderoi stafin e Agjencisë për bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehu besimin se ky bashkëpunim do të vijojë dhe në të ardhmen. Ai prezantoi një përmbledhje të historikut dhe zhvillimeve të komunitetit shqiptar në Britani, duke përfshirë objektivat e ardhshme. Gjatë takimit u theksua nevoja e një përfshirje sa më të madhe të nxënësve shqiptarë në shkollat shqipe në Britaninë e Madhe, si dhe domosdoshmërinë e hapjes së Qendrës Kulturore në Londër.

Gjithashtu, ai informoi znj. Xhafa për krijimin e Lidhjes së Mësuesve në Mbretërinë e Bashkuar dhe shoqatat pjesëmarrëse në këtë lidhje, si dhe për hapjen e 20 shkollave shqipe nga Shoqata “Ardhmëria”, si brenda ashtu edhe jashtë Londrës, për stafin pedagogjik, mënyrat e përzgjedhjes, programin dhe vështirësitë financiare me të cilat përballen, pavarësisht kontributit të prindërve.

Znj. Xhafa nënvizoi vullnetin e AKD-së, duke shprehur shpresën dhe besimin se edhe në të ardhmen do të veprojnë bashkërisht për të mirën e gjuhës, kulturës dhe veprimtarive të tjera shqiptare. Kjo do të arrihet jo vetëm duke ruajtur vlerat e deritanishme, por edhe duke siguruar vazhdimësinë e qenësisë sonë shqiptare me veprimtari konkrete.