Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Ermonela Xhafa, zhvilloi një takim me Drejtuesen e Zyrës së IOM (Organizata Ndërkombëtare për Migracionin) në Shqipëri, znj. Alma Jani. Ky takim kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit dhe mbështetjen e diasporës shqiptare.
Gjatë takimit, Znj. Xhafa prezantoi misionin dhe veprimtarinë e Agjencisë, duke nënvizuar faktin se tashmë, me ndryshimet më të fundit ligjore Agjencia Kombëtare e Diasporës është organ varësie nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, që nën fokusin e programit të Qeverisë shqiptare i kushton vëmendje të veçantë diasporës në tërësi, përfshirë integrimi i diasporës historike dhe gjeneratës së parë të emigrantëve pas viteve ’90, dhe veçanërisht lindja e brezit të dytë të valës së emigrantëve pas rënies së komunizmit, duke ridimensionuar rolin dhe rëndësinë e diasporës.
Drejtoresha Ekzekutive e AKD-së shprehu interesin për të shkëmbyer ekspertizën në fushën e diasporës dhe kërkoi mbështetjen e IOM-it për ngritjen e kapaciteteve brenda burimeve njerëzore të Agjencisë.
Znj. Xhafa shprehu gjithashtu interesin për të zhvilluar së bashku një projekt me bashkitë, për mundësimin e sjelljes së ekspertëve nga radhët e diasporës, të cilët do të mund të ndihmonin qeveritë lokale që të ndërtonin programe social-ekonomike.
Nga ana e saj, Znj. Jani u shpreh e hapur për bashkëpunime, me në fokus Diasporën. Ajo tha se IOM është e gatshme që të ofrojë ekspertizën në shumë fusha që lidhen me diasporën, të rikthyerit, si edhe për ata që janë emigures potencialë nga Shqipëria. Znj. Jani tha se IOM adreson prioritetet që ka qeveria dhe institucionet shqiptare dhe se aktualisht janë disa projekte me vlerë, në të cilat mund të përfshihet edhe AKD. Znj. Jani u shpreh e gatshme gjithashtu edhe për të organizuar trajnime për rritjen e kapaciteteve në Agjenci, si edhe për të ndihmuar me pajisje të nevojshme për zyrat.
Dy drejtueset e institucioneve ranë dakord, se duhet të bëhet sa më parë, një raport vlerësimi, mbi ecurinë e Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2021-2025, mbi bazë të të cilit do të ngrihet edhe puna për hartimin e Strategjisë së re dhe Planit të ri të Veprimit. Sa më lart, IOM u ofrua që të japë ekspertizën e saj.