Në kuadër të Ditës Kombëtare të Diasporës në Shqipëri, më 18 dhjetor, u zhvillua mbledhja e Këshillit Koordinues të Diasporës, me qëllim diskutimin për ecurinë e mëtejshme të punës dhe funksionimin e këtij Këshilli.Mbledhja u hap nga Kryetari i Këshillit, z. Mark Gjonaj, i cili në fjalën e tij, falenderoi anëtarët e mëparshëm të Këshillit për kontributin e tyre. Ai duke i uruar suksese anëtarëve të zgjedhur për herë të parë, u ndal tek rëndësia e diasporës shqiptare në fusha të ndryshme të vendit dhe angazhimin që duhet të kenë anëtarët e këtij Këshilli në forcimin e marrëdhënieve të Diasporës me institucionet shtetërore shqiptare.

Ministri për Evropën dhe Punët e jashtme, z. Igli Hasani falënderoi anëtarët duke theksuar se Këshilli synon mbrojtjen dhe forcimin e marrëdhënieve me diasporën shqiptare si dhe i siguroi ata për mbështetjen e plotë në veprimtarinë e tyre.
Ministrja e Kulturës, znj. Elva Margariti, në fjalën e saj prezantoi projektet dhe angazhimin që ka kjo ministri për diasporën shqiptare.
Z. Lavdrim Krrashi, Kryetar i Nënkomisionit për Diasporën dhe Migracionin, ndër të tjera u ndal në të drejtën e votës duke theksuar se ndryshimet e Kodit Zgjedhor kanë parashikuar të drejtën e diasporës për të votuar dhe si ligjëvënës janë angazhuar në dhënien e kontributit në drejtim të mundësimit dhe përmirësimeve ligjore që i shërbejnë interesit të diasporës sa i takon votimit nga jashtë vendit.
Gjithashtu, pjesë e takimit ishte edhe z.Ilirian Celibashi, i cili në fjalën e tij siguroi bashkëpunimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të realizuar votën e diasporës. Znj. Romina Kuko theksoi rëndësinë e regjistrimit të adresave të diasporës shqiptare dhe punën që po bën Ministria e Brëndshme për të thjeshtuar procedurat e regjistrimit nëpërmjet portalit e-Albania.

Në pjesën e dytë anëtarët u njohën me aktivitetet e Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe institucioneve shtetërore të diasporës si dhe diskutuan për ecurinë e mëtejshme të punës dhe funksionimin e këtij Këshilli, me qëllim krijimin e një bashkëpunimi më të afërt mes institucioneve shtetërore me komunitetet shqiptare kudo në botë.Me rëndësi, nga kjo mbledhje ishte miratimi i ndryshimeve në Rregulloren e Këshillit dhe zgjedhja e drejtuesve të tij. Anëtarët zgjodhën si kryetar z. Mark Gjonaj, nënkryetare znj. Angela Paparizo si dhe sekretare znj. Ira Londo.