Agjencia Kombëtare e Diasporës mori pjesë në Shfaqjen e XXVIII kulturore folklorike për vlerësimin e pakicave etnike, të zhvilluar në komunën e Frasnitës, në Kalabri të Italisë, ditën e shtunë, më 27 maj.
Në rajonin e Kalabrisë ndodhen mjaft komuna arbëreshe, të cilat organizojnë aktivitete kulturore të vazhdueshme. Organizimi i tyre synon ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave në komunitetin arbëresh, veçanërisht te fëmijët.
Konferenca e sivjetshme iu kushtua albanologut, demologut dhe intelektualit progresist të njohur arbëresh Vincenzo Dorsa. Në Konferencë morën pjesë mjaft personalitete arbëresh, si Prof. Cettina Mazzei, Ambasadore e Kombit dhe organizatore e aktivitetit; kryebashkiaku i komunës së Frasnitës z. Catapano; albanologët e njohur Altimari, De Rosa dhe Librandi dhe dhjetra përfaqësues të komunitetit arbëresh.
Me nxënësit e shkollave arbëreshe të Kalabrisë u zhvillua një manifestim folklorik përgjatë rrugëve të Frasnitës, dhe një interpretim i grupeve folklorike të shkollave pjesëmarrëse. Në përfundim të aktivitetit, u ndanë çmime për nxënësit dhe interpretuesit më të spikatur.