Agjencia Kombëtare e Diasporës në datat 5, 6 dhe 7 tetor, do të organizojë aktivitetin “Ditët e Shqipërisë” në Athinë. Gjatë aktivitetit do të zhvillohen takime me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Greqi për të forcuar urat e komunikimit dhe bashkëpunimin e mëtejshëm me këtë komunitet. Gjithashtu, pjesë e këtij aktiviteti do të jetë panairi i botimeve dhe veshjeve tradicionale shqiptare si dhe workshop-i për mësimin e këngëve dhe valleve popullore, për të mbyllur aktivitetin ditën e tretë me një shfaqje artistike nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit të Shqipërisë në bazë të marrëveshjes ndërmjet dy institucioneve.
Ky aktivitet zhvillohet në zbatim të programeve që Agjencia Kombëtare e Diasporës ka për komunitetin shqiptar në Greqi, me qëllim zhvillimin dhe konsolidimin e bashkëpunimit institucional me komunitetin shqiptar në Greqi, si dhe ruajtjen e gjuhës, vlerave kombëtare dhe kulturore.