Këtë të enjte nisi punimet konferenca “Diaspora Flet 2020”, e cila për shkak të kushteve të pandemisë këtë vit mbahet online.
Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko mori pjesë në panelin e diskutimit mbi përfaqësimin politik të Diasporës në shtetin amë.
Gjatë fjalës së tij ministri Majko tha se sot Diaspora jo vetëm në Shqipëri po gjithë hapësirën shqiptare nga sasi po kthehet në cilësi duke u shprehur se ka nisur numërimi mbrapsht për realizimin e të drejtës së votës për shtetasit shqiptarë jashtë vendit.
“Tani po diskutohet nga pikëpamja e numërimit mbrapsht, realizimi i të drejtës së votës dhe për shtetasit tanë jashtë vendit dhe mendoj që koncepti i përfaqësimit politik do jetë i ndërlidhur, nuk do të jetë thjesht një reklamë apo thjesht për të thënë që kemi përfaqësues nga Diaspora në politikë, po kjo e lidhur dhe me një presion pozitiv që do të vijë nga drejtuesit jashtë vendit”, tha ministri Majko.
Por a duhet të ketë një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Kosovës? Sipas ministrit të Shtetit për Diasporën problemi është te koordinimi mes palëve.
“Problemi është si të koordinohemi mes palëve pasi ka mjaft sfida në pikëpamjen e angazhimit administrativ për tu realizuar. Deri tani janë tre marrëveshje ndërshtetërore të firmosur në nivel kryeministri për çështje të Diasporës, ka dhe në fusha të tjera e sidomos në fushën e arsimit dhe jemi duke ecur në këtë drejtim”, tha Majko.
Përsa i përket investimeve të Diasporës në shtetin amë dhe lehtësirat si tarifat dhe taksat, ministri Majko tha se është ende në fazat e para organizimi i investitorëve nga Diaspora.
“Jo më larg se dje ne organizuam një aktivitet për 1 vjetorin e krijimit te Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, kjo do të funksionojë në të njëjtin network me Odën Ekonomike të Diasporës në Kosovë dhe është duke punuar intensivisht për një plan veprimi të përbashkët me ministrinë e Financave përsa i përket një trajtimi më të veçantë të investitorëve të Diasporës. Jemi në hapat e parë e jemi duke punuar me programe në këtë drejtim. Dhoma merr pjesë në tavolinë me Ministrinë e Financave përsa i përket politikës së investimeve. Ne duam të punojmë me modele funksionale pa bërë eksperimente për herë të parë. Shumë shpejt do të dëgjoni lajme të mira. Ndërkaq, ne dhjetor lancojme projektin “Connect Albania”, i mundesuar nga fondi i Koperacionit Italian dhe IOM për të krijuar një model të ndërmjetësimit. Janë disa projekte ambicioze që jemi duke ndërtuar. Ne mendojmë që mbi strukturën jo të vjetër, po ekzistuese të organizatave të veprimit në diasporë, duam të ndërtojmë rrjet të profesionistëve, duhet të organizohen e të lidhen me njëri-tjetrin si një aset i çmuar që duhet t’u ofrojmë ekonomisë së vendit. Të gjitha këto janë të bazuara mbi modele funksionale, ne jemi orientuar nga modeli irlandez dhe jewish “, tha ai.
Konferenca “Diaspora Flet 2020” do të zgjasë tri ditë, 19-21 nëntor dhe synon të lidhë profesionistë të industrisë, biznese, komunitete, aktivistë dhe ekspertë nga e gjithë bota për të reflektuar mbi angazhimin e diasporës shqiptare në 20 vitet e fundit dhe për të eksploruar dhe reflektuar mbi rolin e saj në 20 vitet e ardhshme.
Konferenca e këtij viti është ndertuar rreth temës “GlobAL2020: Lidhu. Krijo. Bashkëpuno” që synon të eksplorojë mënyra në të cilat shqiptarët në të gjithë botën mund të ndikojnë pozitivisht dhe forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar, të kontribuojnë në rritjen e komuniteteve të diasporës dhe të bëjnë ndryshime domethënëse në jetën e atyre që jetojnë në vendet e origjinës.