Me propozimin e Ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave ka miratuar Vendimin Nr. 504, datë. 24.6.2020 për “Krijimin e bazës së të dhënave shtetërore të studentëve të cilët studiojnë jashtë vendit dhe shtetasve të huaj me origjinë shqiptare të cilët përfitojnë bursa nga Shqipëria”.

Ky vendim parashikon krijimin e një baze të të dhënave shtetërore për të gjithë studentët shqiptarë jashtë vendit si dhe të shtetasve të huaj me origjinë shqiptare të cilët përfitojnë bursa studimi nga Republika e Shqipërisë.

Kjo bazë do të përmbajë të dhënat personale për: shtetasit shqiptarë të cilët kryejnë studimet universitare jashtë vendit; shtetasit e huaj me origjinë shqiptare të cilët janë përfitues të programeve të financuara nga ministria përgjegjëse për arsimin; shtetasit shqiptarë të cilët kanë përfituar bursat e studimit të cilat i ofrohen Shqipërisë nga shtete, organizata ndërkombëtare dhe jofitimprurëse në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara apo dokumente të tjera ku Qeveria e Republikës së Shqipërisë është palë.

Baza e të dhënave shtetërore e studentëve shqiptarë ka si institucion administrues Agjencinë Kombëtare të Diasporës ndërsa dhënës të informacionit për të do të jenë ministria përgjegjëse për arsimin dhe ministria përgjegjëse për punët e jashtme.

Vendimin e plotë mund ta lexoni këtu:
VENDIM Nr. 504, PËR KRIJIMIN E BAZËS TË TË DHËNAVE SHTETËRORE TË STUDENTËVE TË CILËT STUDIOJNË JASHTË VENDIT, DHE SHTETASVE TË HUAJ ME ORIGJINË SHQIPTARE, TË CILËT PËRFITOJNË BURSA NGA REPUBLIKA E SHQIPËRISË, datë 24.6.2020