16 Qershori është Dita Ndërkombëtare e Remitancave të Familjes. Remitancat përfaqësojnë të ardhurat që migrantët dërgojnë në vendlindje për familjarët e tyre. Kjo datë është një nderim edhe i përpjekjeve të qindra-mijëra migrantëve shqiptarë, të cilët me të ardhurat e tyre, sigurojnë një të ardhme më të mirë për familjet në Shqipëri.
Duke vlerësuar këtë kontribut, mirëmenaxhimi i remitancave në dobi të familjeve e të vendit si edhe formalizimi i kanaleve të dërgimit të tyre në atdhe, janë ndër objektivat kryesore të Strategjisë Kombëtare të Diasporës. Për të rritur kontributin e Diasporës në përmirësimin e mirëqenies dhe zhvillimin e Shqipërisë, Strategjia nxit zbatimin e praktikave më të mira dhe një mjedis të favorshëm për rritjen e rolit të dërgesave të emigrantëve në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm.