Diaspora në fushën e mjekësisë është ndër komunitetet profesionale më të avancuara dhe më të përditësuara me progresin teknologjik dhe shkencor. Angazhimi i mjekëve shqiptarë të Diasporës është rritur dita-ditës gjatë periudhës së pandemisë së koronavirusit.
Të shumtë kanë qenë mjekët të cilët, përmes intervistave dhe video-mesazheve, kanë këshilluar bashkatdhetarët e tyre mbi masat për parandalimin e përhapjes së virusit dhe gjendjen aktuale të krijuar në vendet pritëse si SHBA, Itali, Turqi, Gjermani dhe Francë. Gjatë përvojave të tyre të punës në vendet e zhvilluara, ata jo vetëm janë rritur profesionalisht, por janë bërë zotërues të metodave dhe arritjeve më të fundit në profesionet e tyre.