Drejtoresha ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Elona Bano, po merr pjesë në një aktivitet të organizuar nga shoqata e rrjetit italo-shqiptar “ANIAS” në Romë, me temë “100 vjet parlamentarizëm shqiptar dhe nxitja e investimeve në Shqipëri”.

Aktiviteti filloi me një vizitë në Senatin italian, ku u takuan me eurodeputeten Simona Baldassarre, dhe u vijua me zhvillimin e një konference me pjesëmarrjen e drejtoreshës së Agjencisë; deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, znj. Tatiana Piro dhe z. Bujar Çela; si edhe përfaqësues të fushës ekonomike dhe sociale të shtetit italian.

Gjatë fjalës së saj përshëndetëse, znj. Bano prezantoi politikat shtetërore për Diasporën, veprimtarinë e Agjencisë dhe ecurinë mbi zbatimin e masave të Strategjisë Kombëtare të Diasporës. Ajo theksoi se Strategjia synon afrimin e Diasporës shqiptare me vendin e origjinës si dhe angazhimin e saj në zhvillimin socio-ekonomik të vendit.

Më tej, si nxitje për rrjetëzimin e sipërmarrësve të Diasporës, ajo përmendi Samitin e Grave të Biznesit, i organizuar pak ditë më parë në Tiranë si dhe Dhomën e Biznesit të Diasporës Shqiptare, e cila synon nxitjen e kapitalit investues dhe krijimin e një klime pozitive në ekonominë mbarëshqiptare.