Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko mori pjesë në aktivitetin për festat kombëtare dhe aktivitetin “Xhubleta”, organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Hagë në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Diasporës.
Në fjalën e tij, ministri Majko u shpreh për situatën që po kalon vendi ynë në këtë periudhë, duke falenderuar për mbështetjen miqtë ndërkombëtarë dhe qeveritë e vendeve mike, në veçanti duke u ndalur në marrëdhënien miqësore mes dy vendeve.“Njerëzit kanë rifilluar jetën në Tiranë, Durrës, Lezhë zona që janë në situatë emergjence, shkollat do të rihapen, jeta do të vazhdojë, njerëzit do vazhdojnë bizneset e tyre. E ardhmja është e të gjithëve”, – u shpreh ministri Majko.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe znj. Elisa Spiropali, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, e cila mbajti një fjalë përshëndetëse për të pranishmit. Gjithashtu, i pranishëm ishte edhe z. Ardian Lekaj, kryetari i Dhomës së Biznesit të Diasporës dhe anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës.
Aktiviteti është zhvilluar në kuadër të kalendarit të aktiviteteve të planifikuara nga Agjencia Kombëtare e Diasporës.