Ditën e shtunë, më 1 qershor, përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Diasporës morën pjesë në Shfaqjen e XXVI kulturore folklorike për vlerësimin e pakicave etnike, në komunën Santa Caterina Albanese, në Kalabri të Italisë.
Në rajonin e Kalabrisë ndodhen mjaft komuna arbëreshe, të cilat organizojnë aktivitete kulturore të vazhdueshme. Organizimi i tyre synon ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave në komunitetin arbëresh, veçanërisht te fëmijët.
Konferenca e sivjetshme iu kushtua shkrimtarit të njohur arbëresh Francesco Antonio Santori. Në Konferencë morën pjesë mjaft personalitete arbëresh, si Prof. Cettina Mazzei, Ambasadore e Kombit dhe organizatore e aktivitetit; kryebashkiakët e komunave Santa Caterina Albanese dhe Cerzeto, z. Lavalle dhe z. Rizzo; albanologët e njohur Altimari dhe Mandalà dhe dhjetra përfaqësues të komunitetit arbëresh.
Me nxënësit e shkollave arbëreshe të Kalabrisë u zhvillua një konkurs mbi krijimtarinë e Santorit. Në përfundim të konferencës, u ndanë çmime për nxënësit dhe interpretuesit më të spikatur.