Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për kthimin në buxhetin e shtetit, të fondit të pa përdorur (kursyer) nga buxheti i caktuar për realizmin e Samitit të Dytë të Diasporës. Sipas këtij vendimi Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare e cila menaxhoi fondet për Samitin e Dytë të Diasporës Shqiptare do të kthejë në buxhetin e shtetit, shumën prej 14 561 598 (katërmbëdhjetë milionë e pesëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e tetë) lek.

Ky fond i papërdorur ishte nga financimi i akorduar me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 11, Datë 9.01.2019, “Për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2019 për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare”. Me këtë vendim, Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e vitit 2019, në zërin “Shërbime qeveritare”, ju shtua fondi prej 66 972 800 (gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë e dy mijë e tetëqind) lekësh për organizimin e Samitit të Dytë të Diasporës.

Bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare do të kalojë shumën e papërdorur 14 561 598 (katërmbëdhjetë milionë e pesëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e tetë) lek në fondin rezervë të buxhetit të shtetit, brenda muajit prill.

Samiti i Dytë i Diasporës u mbajt më 28 shkurt – 2 mars 2019, ku morën pjesë rreth 1400 përfaqësues të komuniteteve shqiptare në Diasporë.

Bashkëngjitur linku për vendimarrjen, detajet e shpenzimeve dhe vendimin e plotë të Këshillit të Ministrave.

VENDIM Nr.194, datë 5.4.2019 “PËR KTHIM FONDI NË BUXHETIN E SHTETIT”