Pashko Vasa është një ndër udhëheqësit më të hershëm e më të njohur të lëvizjes sonë kombëtare. Ai ka hyrë në historinë e Rilindjes si ideolog dhe si poet i saj.
Pashko Vasa diti ta shfrytëzonte me mençuri për të mirën e çështjes kombëtare. Pjesa historike e veprës «E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët» e P. Vasës riprodhon përmbajtjen e studimit të tij të mëparshëm në gjuhën shqipe «Shqypnija e Shqyptart», duke i bërë disa shtesa. Më e rëndësishmja midis tyre është padyshim, ajo mbi pashallëqet e mëdha shqiptare të shekullit XVIII dhe të fillimit të shekullit XIX. Autori i miraton veprimet e Mustafa Bushatit dhe të Ali Tepelenës: «Që të dy kishin ditur të bashkonin elementin mysliman e të krishterë në të njëjtën ide atdhetare dhe në të njëjtin vrull lavdie ushtarake».
Gjendja ekonomike-shoqërore dhe kulturore-arsimore e Shqipërisë nën sundimin osman, sipas Pashkos, përjashtonte në të ardhmen e afërt, ndarjen e saj nga Turqia. Në një zgjidhje të tillë shqiptarët do gjendeshin, sipas tij, para rezikut të binin nën një sundim tjetër po të huaj dhe të shkombëtarizoheshin, duke humbur midis diskutimeve të pafund. Edhe qeveria perandorake, sipas autorit të veprës, kishte interes ta lidhte pas vetes Shqipërinë, duke e bërë të aftë «me reforma radikale, në gjendje të zhvillojë inteligjencien e vet, pasuritë e veta dhe fuqinë e vet ushtarake». Më tepër se me një konstatim kemi të bëjmë me rekomandimin e argumentuar, të cilin P. Vasa ia parashtronte me këmbëngulje Portës së Lartë. Për vijimin e bashkëjetesës së shqiptarëve me osmanët atë si shume të tjerë e kishin bindur punimet e Kongresit të Berlinit.
Autori i manifestit ideologjik të Lidhjes dhe mbarë Rilindjes arrinte në përfundimin: «Shqipëria të bashkohet në një vilajet të vetëm, t’i jepet asaj një organizim i thjeshtë, kompakt dhe i fortë për t’i bërë vend gjerësisht në të elementit vendas dhe për të nisur, nën Skeptrin e Madhërisë së tij Sulltanit, një erë bashkimi, mirëkuptimi dhe vëllazërimi për të gjitha besimet». Është e nevojshme, thekson më tej autori, «një administratë e vetme, me ligje të barabarta për të gjithë». Në këtë mënyrë, përfundonte ai, do t’i hapej rruga zhvillimit të gjithanshëm të vendit.