I duartrokitur tashmë dhe i respektuar nga publiku dhe kritika e mbarë botës, Saimir Pirgu konsiderohet si një nga artistët që ka patur ngjitjen më të shpejtë në karrierë në qarqet operistike dhe koncertale, duke u konsideruar sot si një nga tenorët më të shquar në peisazhin e lirikës ndërkombëtare.

 

Vlerësuar për autoritetin dramatik dhe skenik të interpretimeve të tij, ai është cituar në shtypin ndërkombëtar si “një nga zërat më të bukur që mund të dëgjohen sot” (Seen And Heard International), si “një nga interpretuesit më të rëndësishme botërorë të roleve të tenorit lirik” (Opera Today) “Një yll në rritje” (Opera Now). “Interpretimi i tij vokal tingëllon spontan, krejtësisht i pa sforcuar, duke u zgjeruar vazhdimisht në një lojë intuitive dritë-hijesh me një prekje të mëndafshtë” (The New York Times), “Teknika e tij është e shkëlqyer dhe cilësia lirike e zërit të tij është po kaq e bukur” (Plácido Domingo), “Vetëm qielli mund të jetë kufiri i tij “, (The New York Sun).

 

I lindur në vitin 1981 në qytetin e Elbasanit (Shqipëri), në moshë shumë të re nis mësimet e muzikës, duke u diplomuar si violinist në qytetin e tij të lindjes. Në moshën 21 vjeçare diplomohet për kanto në konservatorin “Claudio Monteverdi” të Bolzanos, nën drejtimin e Vito Maria Brunetti-t, i cili vazhdon të jetë edhe sot Mentori i tij. Ende student, Saimir Pirgu pati fatin të takonte e të njihej nga afër me Luciano Pavarottin, i cili i mundësoi perfeksionimin e roleve më të rëndësishme të repertorit të tij, me anë të një lidhjeje të ngushtë që për fat të mirë zgjati deri në ditët e fundit të jetës së tenorit të madh.