Sot në Kryeministri zhvilluam mbledhjen e parë të Këshillit Drejtues të Agjencisë Kombëtare të Diasporës. Këshilli Drejtues, i përbërë nga përfaqësues të Ministrit të Shtetit për Diasporën dhe të disa prej ministrive të linjës, është organi vendimmarrës për çështjet administrative dhe financiare të Agjencisë.
Kjo ishte mbledhja konstituive e Këshillit. Në fillim të mbledhjes, me propozim të Ministrit të Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, Këshilli zgjodhi njëzëri Kryetar z. Etjen Xhafaj, zëvëndësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Pas kësaj, Kryetari i sapozgjedhur Xhafaj mori drejtimin e mbledhjes, e cila proçedoi me çështjet e tjera të rendit të ditës.
Nga Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë, z. Dritan Delija, anëtarëve të Këshillit iu prezantuan dokumentet e mëposhtëme: Struktura, Rregullorja për Organizimin e Brendshëm Administrativ, Projekt-buxheti si edhe Buletini i Planit të Veprimit, Shtator 2018.
Në fjalën e tij, Ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, ftoi anëtarët e Këshillit të diskutojnë aktivisht mbi dokumentet e paraqitura dhe të bëjnë sugjerimet apo ndryshimet përkatëse.
Anëtarët e Këshillit shprehën vlerësimet e tyre pozitive për veprimatrinë e deritanishme të Agjencisë dhe, pas diskutimeve të zgjeruara, i miratuan njëzëri dokumentet e paraqitura.
Përveç dokumenteve të mësipërme, Këshilli diskutoi edhe mbi funksionimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të Agjencisë si një institucion i ri shtetëror si edhe bashkëpunimin e saj me institucionet e tjera shtetërore, publike e private në Shqipëri, agjencitë përkatëse në Kosovë, organizatat ndërkombëtare si edhe organizatat përfaqësuese në Diasporë.