Kreativiteti, identiteti kulturor dhe bashkëpunimi institucional ishin në fokus të paneleve të zhvilluar në ditën e tretë të MUZA Fashion Fair Albania 2026.

Paneli i parë “VIZIONI NDËRKOMBËTAR I MODËS INTERNATIONAL VISION OF FASHION”, bëri bashkë përfaqësues institucionesh, profesionistë të industrive kreative dhe aktorë të biznesit disa prej tyre nga diaspora, për të diskutuar mbi promovimin e vlerave shqiptare përmes industrive kreative dhe elementëve të traditës.

Pjesë e panelit ishte edhe Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Ermonela Xhafa, së bashku me drejtueset e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, si dhe Agjencisë së Industrisë Kreative.

Paneli solli në vëmendje rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në mbështetje të industrive kreative dhe rolit që ato luajnë në promovimin e kulturës, traditës dhe identitetit shqiptar. Në diskutime u theksua se moda dhe dizajni nuk përfaqësojnë vetëm një industri krijuese, por edhe një mënyrë komunikimi dhe prezantimi të vlerave kulturore shqiptare për publikun vendas dhe ndërkombëtar.

Gjatë panelit u diskutua mbi mënyrat se si elementët tradicionalë shqiptarë mund të integrohen në krijimet bashkëkohore, duke krijuar një lidhje më të afërt mes trashëgimisë kulturore dhe brezave të rinj, si edhe duke rritur interesin e publikut ndërkombëtar ndaj kulturës shqiptare.

Përfaqësuesit e institucioneve, profesionistët nga industria e modës, sipërmarrësit, përfaqësues të biznesit, fashionistë dhe përfaqësuesit me eksperiencë në këtë fushë krijuan një hapësirë të vlefshme diskutimi mbi potencialin që kanë industritë kreative për të promovuar Shqipërinë, kulturën shqiptare dhe lidhjen me diasporën shqiptare.