Diaspora është kapital njerëzor. Është ekspertizë profesionale. Është investim. Është rrjet ndërkombëtar. Është kulturë, identitet, diplomaci ekonomike dhe fuqi zhvillimi.

Prej vitesh, ne e kemi besuar dhe e kemi punuar këtë në praktikë: përmes rrjetëzimit të biznesit, promovimit të produkteve shqiptare, kulturës, turizmit, artit, grave sipërmarrëse, profesionistëve dhe brezave të rinj të diasporës.

Sot, ky vizion merr një rëndësi edhe më të madhe.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka hapur konsultimin publik për projektvendimin e Këshillit të Ministrave “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare për Diasporën 2026–2030 dhe Planit të Veprimit 2026–2028”.

Kjo strategji synon të forcojë marrëdhënien mes shtetit shqiptar dhe diasporës, duke e zhvendosur fokusin nga remitancat drejt investimeve, kapitalit njerëzor, ekspertizës profesionale, inovacionit dhe partneriteteve konkrete.

Diaspora shqiptare, përfaqëson një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik, intelektual, kulturor dhe profesional. Ajo është urë mes Shqipërisë dhe tregjeve globale, mes identitetit kombëtar dhe integrimit evropian, mes traditës dhe së ardhmes.

Siç u theksua edhe në fjalën e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ferit Hoxha, në Samitin e IV të Diasporës, shqiptarët jashtë atdheut nuk janë thjesht një komunitet i shpërndarë në botë, por një zemër e madhe shqiptare që rreh kudo. Diaspora është shtëpi, identitet, fuqi njerëzore, profesionale dhe kulturore; një urë e gjallë mes Shqipërisë dhe botës, me rol të rëndësishëm në zhvillimin, imazhin ndërkombëtar dhe rrugëtimin evropian të vendit.

Prandaj, ky konsultim publik është një moment i rëndësishëm për të gjithë ne.

Ftohen qytetarët, diaspora shqiptare, ekspertët, institucionet, organizatat jofitimprurëse, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe çdo shqiptar që beson te roli i diasporës, të japin sugjerimet dhe kontributin e tyre.

Sepse diaspora nuk duhet vetëm të përmendet.
Diaspora duhet të dëgjohet.
Diaspora duhet të përfshihet.
Diaspora duhet të jetë pjesë aktive e vendimmarrjes dhe zhvillimit kombëtar.

Nga strategji, në partneritet zhvillimi, në plane konkrete.

Ne kemi qenë dhe do të vazhdojmë të jemi pjesë e këtij rrugëtimi për një diasporë të organizuar, të vlerësuar dhe të lidhur realisht me zhvillimin e Shqipërisë.

🔗 Projektakti dhe dokumentacioni përkatës janë të aksesueshme në: Kliko këtu

Diaspora shqiptare është një forcë e madhe. Tani është koha ta kthejmë këtë forcë në vizion, bashkëpunim dhe zhvillim.