Me rastin e 85 vjetorit të ditëlindjes së shkrimtarit të madh të kombit, Ismail Kadare, Agjencia Kombëtare e Diasporës me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Diasporën, Z. Pandeli Majko ka realizuar albumin fotografik “Kadare dhe Gjirokastra”.

Ky album është realizuar nga fotografi Roland Tasho, dhe është një udhëtim nëpërmjet imazheve fotografike në qytetin e lindjes së autorit, në Gjirokastrën e tij të dashur, ku shihet të ecë në rrugicat me kalldrëm, të takojë njerëz që i njeh e jo, të vizitojë vënde që e frymëzuan të krijojë disa nga kryeveprat e tij.

Albumi së shpejti do të jetë i pranishëm në institucionet kulturore. “Ne si Agjenci përpiqemi të punojmë çdo ditë në forcimin e bashkëpunimit me diasporën shqiptare dhe qëllimi final është ruajtja dhe promovimi i vlerave shqiptare, ruajtja e kulturës, gjuhës, traditës. Ndaj ishte dëshira jonë që në këtë përvjetor t’i dhuronim një album “Kadare dhe Gjirokastra” jo vetëm shkrimtarit, por edhe Shtëpisë Muze Kadare këtu në Tiranë, Shtëpisë Muze në Gjirokastër dhe institucioneve të tjera, duke u përpjekur të japim kontributin tonë që publiku ta njohë këtë gjeni të letërsisë sonë edhe nëpërmjet artistëve të tjerë dhe institucioneve që krenohen me veprën e jashtëzakonshme të Ismail Kadaresë. Virtyti më i rëndësishëm njerëzor është mirënjohja dhe ky album është dhurata jonë në shenjë mirënjohje ndaj një ambasadori të veçantë të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, siç është Kadare.“, shprehet Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Diasporës znj. Sonila Hysi.