Më 22 tetor 2024, në sallën e koncerteve “Tonin Harapi” në Tiranë, u zhvillua me sukses recitali pianistik “Udhëtim muzikor në jetën e Franz Liszt”, ku pianistja e talentuar znj.Almira Emiri e njohur në skenat botërore, solli një interpretim të jashtëzakonshëm të veprave të kompozitorit të famshëm Franz Liszt.

Ky aktivitet i veçantë, i moderuar nga znj.Balina Bodinaku përcolli emocione të thella përmes fjalës dhe muzikës.

Në emër të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Diasporës, Drejtoresha Ekzekutive, znj. Ermonela Xhafa, i dorëzoi znj.Almira Emirit çertifikatën e mirënjohjes “Ekselencat shqiptare në diasporë”, për kontributin e saj si një nga artistet më të shquara shqiptare, që ka performuar në skenat më të mëdha të botës, duke përfaqësuar denjësisht kulturën dhe traditën tonë kombëtare.

Përveç kësaj, znj.Almira Emiri u dekorua nga Presidenti i Republikës së Hungarisë me çmimin e lartë për kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve kulturore mes Shqipërisë dhe Hungarisë.

Pianistja është vlerësuar për rolin e saj të jashtëzakonshëm në promovimin e kulturës shqiptare dhe hungareze, duke ndërmjetësuar si një urë e rëndësishme bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve përmes artit dhe muzikës.