Ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko dhe Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Diasporës, z. Dritan Delija, të pranishëm në hapjen e aktivitetit “Java me bizneset e diasporës” në Prishtinë. Rreth 300 biznese të diasporës ekspozojnë sipërmarrjet e tyre. Ky aktivitet synon nxitjen e bashkëpunimit dhe kontributit të sipërmarrësve të diasporës shqiptare me vendin e origjinës.
Ministri Majko u shpreh se ky takim tregon vlerat dhe rëndësinë e Diasporës. “Sot Diaspora shqiptare nuk është vetëm një numër i shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut, por një cilësi e jetës së përditshme të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, dhe Malit të Zi. Shqiptarët në Diasporë e kanë arritur këtë status pa ndihmën e askujt dhe duhen përgëzuar për sukseset e tyre.” Gjithashtu, në fjalimin e tij, z. Majko theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Shqipërisë për çështjet e Diasporës.