Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Ermonela Xhafa, zhvilloi një takim produktiv me Presidenten e Organizatës OJF Swiss Albania Event dhe Përfaqësuesen e Dhomës së Gruas të Diasporës për Zvicrën, znj. Aina Hoti.
Ky takim kishte si qëllim forcimin e lidhjeve mes diasporës dhe Shqipërisë, si dhe mbështetjen për nismat që promovojnë rolin e shqiptarëve jashtë vendit. Gjatë diskutimeve, u theksua rëndësia e bashkëpunimit dhe angazhimit në promovimin e vlerave kulturore shqiptare dhe fuqizimin e rolit të gruas në diasporë.
Znj. Aina Hoti, e cila ka drejtuar me sukses Swiss Albania Event për 8 vite, ndau vizionin e saj për avancimin e projekteve që përfshijnë gratë e diasporës në përpjekje për zhvillimin social dhe ekonomik, veçanërisht duke synuar nismat që pasqyrojnë identitetin dhe kulturën shqiptare në Zvicër. Ajo nënvizoi rolin e rëndësishëm të gruas shqiptare në diasporë për të ndihmuar në promovimin e vlerave tradicionale dhe bashkëkohore të komunitetit shqiptar.
Znj. Ermonela Xhafa shprehu mbështetje të plotë për këto përpjekje, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit të grave shqiptare në nivele ndërkombëtare. Ajo vlerësoi përpjekjet e znj. Hoti si një lidere që ndërthur kulturën, zhvillimin dhe integrimin e komunitetit shqiptar në Evropë.
Takimi u karakterizua nga një frymë bashkëpunimi dhe angazhimi për të zgjeruar nismat e përbashkëta për promovimin e vlerave shqiptare, me synim fuqizimin e pozitës së gruas në diasporë. Rritja e këtij rrjeti do të kontribuojë në zhvillimin e komuniteteve tona dhe forcimin e identitetit shqiptar në Zvicër.