Me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të një prej personaliteteve më të rëndësishme dhe të dashura që luftoi deri në frymën e fundit kundër harresës dhe asimilimit të arbëreshëve, At Antonio Bellusci
Lindi më 15 shtator të vitit 1934 në Frasnitë (Frascineto) të krahinës së Kozencës (Kalabri). Kreu studimet për filozofi dhe teologji në Universitetin Pontifik Gregorian të Romës më 1962. Shërbeu si famullitar në fshatrat arbëreshe të Shën Kostandinit në vitet 1965–1973 dhe Fallkunarë në vitet 1973–1979. Prej vitit 1979 deri në 2000 shërbeu si famullitar në kishat arbëreshe të Kozencës dhe prej vitit 2000 në Kastrovilari. Ka botuar disa libra, si: “Canti sacri tradicionali albanesi” (Këngë fetare arbëreshe), 1971; “Argalia ndër tekstet origjinale arbëreshe”, 1977; “Magia, miti e credenze popolari” (Magji, mite dhe besime popullore), 1983; “Dizionario fraseologico degli Albanesi d’Italia e di Grecia” (Fjalor frazeologjik i Arbëreshëve të Italisë dhe të Greqisë), 1989; “La pastorizia – Ricerca etnografia tra gli albanesi di Frascineto”, Kozencë (Blegtoria – hulumtim etnografik te Arbëreshët e Frasnitës), 1991; “Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Helladhës”, 1994, 2005; “Antologjia Arbëreshe”, 2003, si edhe një varg artikujsh studimorë. Themeloi dhe drejtoi revistën e parë arbëreshe në krahinën e Bazilikatës “Vatra jonë”, në vitet 1966–1970. Në vitin 1980 themeloi revistën periodike “Lidhja”, organ i Shoqatës kulturore-shoqërore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Kozenca. Shkrimet e kësaj reviste janë në gjuhën letrare shqipe si dhe në të folmet arbëreshe, si dhe në gjuhën italiane. At Bellusci krijoi bashkëpunim me arbëreshët kudo ku ndodhen në botë, si dhe ka qenë pjesëmarrës në shumë veprimtari shkencore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj.
Studiuesi dhe prifti arbëresh, Antonio Bellusci është nderuar nga komuna e Çiftit me titullin Kalorës i Skënderbeut (Cavaliere di Skanderbeg). Një titull i dhënë në shenjë mirënjohjeje për punën dhe përgjegjësinë në kontribuimin e ruajtjes së identitetit arbëresh.