Në kuadër të Konferencës “Diaspora Flet”, që po zhvillohet në Këln, u realizua dhe shpërndarja e librave të gjuhës shqipe për mësuesit që japin mësim në Landin e Nordrhein-Westfalen (NRW), një nga qendrat më aktive të mësimdhënies së shqipes në diasporë.

Ky proces i rëndësishëm u organizua nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Gjermani, me pjesëmarrjen dhe të Agjencisë Kombëtare të Diasporës.

Në aktivitet morën pjesë Ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani, znj. Adia Sakiqi, dhe Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Ermonela Xhafa, të cilat theksuan rëndësinë që ka ky proces për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar në brezat e rinj të diasporës.

Gjatë takimeve me mësuesit e gjuhës shqipe në NRW, u zhvilluan biseda për forcimin e bashkëpunimit, përmirësimin e materialeve mësimore dhe nevojën për trajnime të posaçme për mësuesit në diasporë.

Ambasada e Shqipërisë në Gjermani po bën një punë të vyer në forcimin e lidhjeve me diasporën dhe në përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe për brezat e rinj.

Agjencia Kombëtare e Diasporës vlerëson rolin dhe bashkëpunimin e përfaqësive tona diplomatike me Qendrën e Botimeve për Diasporën, si dhe me shoqatat e mësuesve në diasporë për zhvillimin e këtij procesi dhe mbetet e përkushtuar për të mbështetur çdo nismë që ndihmon ruajtjen e gjuhës, traditës dhe kulturës shqiptare në diasporë.