Sot po zhvillohet në Hania të Kretës Seminari XV i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi me temën: “Ndërthurja e mësimit tradicional të gjuhës shqipe me digjitalizimin: Roli i teknologjisë në rritjen e motivimit të fëmijëve të diasporës.”

Në këtë seminar marrin pjesë mësues të shkollave shqipe nga e gjithë Greqia. Të pranishëm janë gjithashtu përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe personalitete të fushës së arsimit, mes tyre Zv. Kryetarja e Parlamentit, znj. Klodiana Spahiu, Ambasadorja e Shqipërisë në Athinë, znj. Luela Hajdaraga, Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Ermonela Xhafa, anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës, për Greqinë. z. Ermal Sulaj, si dhe profesorët z. Shezai Rrokaj dhe Dr. Besnik Rama.

Seminari synon rritjen e cilësisë së mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë, modernizimin e praktikave mësimore përmes mjeteve digjitale dhe ndërtimin e një qasjeje bashkëkohore që e afron fëmijën me gjuhën amtare. Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi bën një punë shumë të mirë për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës dhe kulturës shqipe në Greqi, duke bashkuar dhe forcuar përkushtimin e mësuesve anëtarë të LMSHG.

Në vitet e fundit, shteti shqiptar ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në hartimin dhe zbatimin e politikave arsimore për diasporën, duke e konsideruar mësimin e gjuhës shqipe jashtë vendit pjesë integrale të politikave publike. Përmes kurrikulave të harmonizuara, teksteve mësimore dhe programeve të formimit profesional, synohet forcimi i lidhjes së brezave të rinj me gjuhën dhe kulturën e tyre.

Vëmendja, kujdesi dhe prezenca e përfaqësuesve të shtetit shqiptar sot përforcon idenë se ruajtja e gjuhës shqipe jashtë atdheut kërkon jo vetëm vullnet individual, por edhe bashkërendim institucional dhe profesional. Në këtë proces, bashkëpunimi me institucionet përgjegjëse për diasporën mbetet thelbësor për të garantuar vazhdimësi dhe mbështetje për arsimin shqip në diasporë.

Ky seminar dëshmon se ruajtja dhe zhvillimi i gjuhës shqipe në diasporë nuk është vetëm një përpjekje individuale, por një angazhim i përbashkët institucional.

Agjencia Kombëtare e Diasporës, në përmbushje të misionit të saj, vijon të bashkëpunojë me institucionet shtetërore dhe organizatat e diasporës për mbështetjen e iniciativave që kontribuojnë në forcimin e rolit të mësuesit shqiptar dhe në ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporë.

Në këtë mënyrë, bashkëpunimi institucional me diasporën bëhet motor i fuqishëm për të garantuar vazhdimësinë e trashëgimisë kulturore, identitetit gjuhësor dhe kulturor të brezave të rinj jashtë atdheut.