Sot, pranë Komisionit Parlamentar “Për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën”, u zhvillua seanca dëgjimore me Agjencinë Kombëtare të Diasporës, përfaqësuar nga Drejtoresha Ekzekutive, znj. Ermonela Xhafa.

Gjatë prezantimit, znj. Xhafa paraqiti një panoramë të plotë të veprimtarisë së Agjencisë për periudhën 2024 – 2025, duke evidentuar vizionin strategjik, prioritetet institucionale dhe rezultatet konkrete të arritura në fushën e bashkëpunimit me diasporën shqiptare. Ajo theksoi rëndësinë e partneriteteve dhe bashkëpunimeve me institucionet kombëtare e ndërkombëtare, organizatat e diasporës, rrjetet e profesionistëve në diasporë dhe përfaqësitë diplomatike, me anë të të cilave synohet forcimi i lidhjeve midis shqiptarëve jashtë kufijve dhe vendit të origjinës.

Ndër nismat kryesore të prezantuara ishin projektet që synojnë ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, si dhe nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tërheqjen e talenteve nga diaspora.

Gjithashtu, u prezantuan hapa konkretë për finalizimin e Strategjisë së re Kombëtare të Diasporës 2026 – 2030, e cila do të shërbejë si udhërrëfyes për institucionet dhe marrëdhënien e shtetit shqiptar me diasporën, duke vendosur në qendër përfshirjen aktive të diasporës në zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë, përmes arsimit, inovacionit dhe investimeve strategjike.

Agjencia Kombëtare e Diasporës vijon të punojë me përkushtim, për të qenë ura lidhëse mes shqiptarëve në botë dhe vendit të origjinës, duke kthyer vlerat, talentin, eksperiencën dhe vizionin e tyre në forcë konkrete për zhvillimin e vendit.