Ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko zhvilloi sot një takim me Bekim Muratin, Drejtor i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, nënkryetarin e Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku dhe dy përfaqësuesit e GIZ-it, Jonny Bodo dhe Amir Haxhikadrija.
Në takim u bisedua mbi përfshirjen në gamën e funksioneve të bashkive, të fushës së Diasporës dhe migracionit si dhe përditësimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 456, datë 10.06.2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 910, datë 21.12.2016 të Këshillit të Ministrave, “Për çështjet objekt konsultimi dhe strukturën, procedurën, formën, mënyrën e organizimit e të funksionimit të Këshillit Konsultativ të qeverisjes qendrore me vetëqeverisjen vendore” të ndryshuar.
Gjithashtu në qendër të takimit ishte dhe Memorandumi i Bashkëpunimit për bashkërendimin e punës për ngritjen e Strukturës Administrative për Diasporën dhe Migracionin në qeverisjen vendore ndërmjet Ministrisë së Brendshme, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrit të Shtetit për Diasporën dhe Shoqatës për Autonomi Vendore.