Sot, Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko zhvilloi takimin e parë me anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës në Dyseldorf, Gjermani.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri Majko foli për rëndësinë që ka pasur formimi i Këshillit Koordinues të Diasporës, si një strukturë, e cila funksion për herë të parë në shtetin shqiptar. Kjo strukturë është ngritur për krijimin e një bashkëpunimi më të afërt mes institucioneve shqiptare dhe komuniteteve në Diasporë, për t’u njohur me problematikat e tyre dhe për t’u ofruar mbështetje.
Në përbërje të këtij këshilli janë 15 përfaqësues nga Diaspora shqiptare, personalitete të fushave të ndryshme, të cilët japin një kontribut të vazhdueshëm në promovimin e interesave të kombit shqiptar dhe veçanërisht në çështjet e Diasporës shqiptare. Si anëtarë të këtij këshilli, ata gëzojnë një status të veçantë.
Gjatë takimit të sotëm anëtarët u njohën në mënyrë të detajuar me politikat shtetërore për Diasporën, të cilat janë hartuar dhe janë në zbatim, insitucionet në varësi të Ministrit të Shtetit për Diasporën dhe punën e tyre të deritanishme në mbështetjen e komuniteteve shqiptare në fushën e kulturës, biznesit dhe arsimit.
Në kuadër të reformës legjislative për vitin 2019, Ministri Majko tregoi se janë marrë 12 vendime të rëndësishme dhe janë firmosur 6 marrëveshje ndërinstitucionale me fokus zhvillimin dhe mbështetjen e Diasporës.
Gjithashtu, u prezantua edhe “Qendra e Studimeve dhe Publikimeve Arbëreshe”, institucioni më i ri i krijuar në varësi të Ministrit të Shtetit për Diasporën, puna e të cilit do të jetë e orientuar në kryerjen e studimeve të specializuara për historinë, letërsinë dhe kulturën e komunitetit arbëresh.
Ministri Majko prezantoi edhe aplikacionin “Diaspora shqiptare”, i cili është një aplikacion informues jo vetëm për veprimtarinë e anëtarëve të Këshillit Koordinues të Diasporës, por edhe për problematika dhe informacione të dobishme për komunitetin shqiptar në botë.
Në kuadër të ecurisë së punës për zbatimin e Planit të Veprimit të Strategjisë Kombëtare për Diasporën u prezantuan aktivitet e planifikuara për vitin 2020 që janë: “Samiti i Grave të Biznesit”, “Takimi i Mjekëve”, “Takimi i Mësuesve të Diasporës”, “Takimi i Shkrimtarëve të Diasporës” si dhe “Takimi i Juristëve“.