Gjatë muajit korrik, 20 vajza e djem shqiptarë nga diaspora në Zvicër morën pjesë në edicionin e tretë të Shkollës Verore “Jam Shqiptar”, një udhëtim emocionesh, njohjeje dhe dashurie për atdheun. Ky projekt, i konceptuar si një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe brezit të ri të diasporës, u realizua me mbështetjen e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe Qendrës së Botimeve për Diasporën.

Të rinjtë u pritën ngrohtësisht në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme nga Zëvendësministrja znj. Silda Anagnosti Çepe, duke nisur kështu zyrtarisht këtë eksperiencë të paharrueshme, që i njohu më nga afër me gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare përmes mësimit të gjuës shqipe, vizitave kulturore e historike dhe aktiviteteve krijuese mbi identitetin kombëtar.

Gjatë programit, nxënësit vizituan qytete të ndryshme të vendit, si: Tirana, Durrësi, Kruja, Lezha, Shkodra, Berati dhe Vlora, duke përjetuar nga afër pasuritë kulturore, historike dhe natyrore të Shqipërisë.

Pas 10 ditësh të mbushura me përjetime , Shkolla Verore “Jam Shqiptar” u përmbyll me ceremoninë e ndarjes së certifikatave, në prani të Zëvendësministres znj. Silda Anagnosti Çepe, znj, Drejtores Ekzekutive të Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Ermonela Xhafa, si dhe përfaqësuesve nga Qendra e Botimeve për Diasporën. Ky moment vlerësimi shënoi jo fundin, por fillimin e një lidhjeje më të fortë të këtyre të rinjve me Shqipërinë.

Programi u mbyll me një vizitë studimore në Fondacionin “Tradita Popullore”, ku të rinjtë patën mundësi të njihen më nga afër me trashëgiminë kulturore shqiptare .

Shkolla Verore “Jam Shqiptar” vijon të mbetet një mundësi e çmuar për të forcuar identitetin shqiptar mes brezit të ri të diasporës.