Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Ermonela Xhafa, zhvilloi një takim me Përfaqësuesin e UNHCR në Shqipëri, z. Toshitsuki Kawauchi. Gjatë këtij takimi, dy bashkëbiseduesit diskutuan për fusha me interes të përbashkët, si diaspora dhe migracioni.

Gjatë takimit, Znj. Xhafa prezantoi misionin dhe veprimtarinë e Agjencisë, duke nënvizuar faktin se tashmë, me ndryshimet më të fundit ligjore Agjencia Kombëtare e Diasporës është organ varësie nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, që nën fokusin e programit të Qeverisë shqiptare i kushton vëmendje të veçantë diasporës në tërësi, përfshirë integrimi i diasporës historike dhe gjeneratës së parë të emigrantëve pas viteve ’90, dhe veçanërisht lindja e brezit të dytë të valës së emigrantëve pas rënies së komunizmit, duke ridimensionuar rolin dhe rëndësinë e diasporës.

Ata shprehën interesin për bashkëpunim në projekte me përfitim të ndërsjellë, duke theksuar rëndësinë e çështjeve si regjistrimi i fëmijëve të lindur nga shqiptarët jashtë vendit. Znj. Xhafa dhe z. Kawauchi diskutuan gjithashtu për mundësitë dhe mbështetjen e iniciativave që synojnë integrimin dhe mirëqënien e komuniteteve shqiptare jashtë vendit.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe UNHCR, me qëllim përmirësimin e kushteve dhe mbështetjes për komunitetin shqiptar jashtë vendit.