Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Ermonela Xhafa, zhvilloi një takim me znj. Anila Hyka Smorgrav, anëtare e Këshillit Koordinues të Diasporës. Gjatë këtij takimi, u theksua roli i rëndësishëm që Agjencia ka në zhvillimin e marrëdhënieve dhe angazhimin e Diasporës Shqiptare.
Znj. Anila Hyka Smorgrav sjell një përvojë ndërkombëtare mbi 25 vjet në sektorin e telekomunikacionit dhe IT-së. Përveç angazhimeve profesionale, ajo është e përkushtuar ndaj aktiviteteve që promovojnë edukimin, kulturën dhe integrimin e diasporës shqiptare.
Drejtoresha e AKD-së falenderoi znj. Anila Hyka Smorgrav për punën dhe veprimtarinë e saj të shumëanshme kulturore ,administrative që ajo ka bërë lidhur me çështjet e diasporës, jo vetëm pranë KKD-së, AKD-së por dhe pranë institucioneve të tjera.
Gjatë takimit, znj. Xhafa dhe znj. Smorgrav diskutuan për hapat dhe politikat që duhen ndjekur për të forcuar lidhjet mes Shqipërisë dhe diasporës, duke përfshirë diskutimet për ndryshimet më të fundit për ligjin për Diasporën, apo fuqizimin e KKD-së, fuqizimin e veprimtarisë së AKD-së, si dhe projekte të reja që synojnë të angazhojnë më shumë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të bashkëpunimit dhe zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve me diasporën. Përfshirja e Disporës në vendim-marrjen politike në Shqipëri jo vetëm që rrit legjitimitetin, por i jep shtysë rritjes së potencialit, që ekziston për një angazhim më të madh për t’iu shërbyer bashkëqytetarëve jashtë vendit, për të rritur ndërveprimin social dhe për të shkëmbyer njohuri në fusha të ndryshme.