AKD mirëpret valltarë nga diaspora për trajnim kulturor në Shqipëri
Agjencia Kombëtare e Diasporës (AKD) mirëpriti një grup të rinjsh nga Shoqata Kulturore Bashkimi, të cilët qëndruan në Shqipëri për një trajnim intensiv me koreografët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Në kuadër të misionit të saj për forcimin e lidhjeve me diasporën dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, si dhe në zbatim të planit të aktiviteteve të Agjencisë për vitin 2025, ky aktivitet përfaqëson një shembull konkret të bashkëpunimit të ngushtë mes Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe shoqatave kulturore shqiptare jashtë vendit.
Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë, znj. Ermonela Xhafa, u takua me valltarët e rinj për të ndarë me ta mesazhin e rëndësisë së ruajtjes dhe përcjelljes së trashëgimisë kulturore shqiptare tek brezat e rinj në diasporë.
Ky program është pjesë e projektit “Trajnim i valltarëve nga diaspora” i cili synon ruajtjen, promovimin dhe ringjalljen e traditave shqiptare në komunitetet tona jashtë në diasporë.
Valltarët përjetuan nga afër bukurinë e valleve tradicionale, u njohën me veshjet popullore shqiptare dhe prekën me duart e tyre shembujt dhe objektet lidhur me rrënjët e tyre kombëtare.