ABC News Albania në Agjencinë Kombëtare të Diasporës
ABC News Albania në Agjencinë Kombëtare të Diasporës
ABC News Albania ishte i pranishëm në ambientet e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, ku zhvilloi një vizitë njohëse dhe një intervistë me Drejtoreshën Ekzekutive, znj. Ermonela Xhafa dhe stafin e Agjencisë, realizuar nga gazetari dhe aktivisti i mirënjohur për çështjet e diasporës, sidomos asaj arbëreshe, z. Artur Nura.
Gjatë intervistës, Drejtoresha Ekzekutive e AKD-së znj. Xhafa vuri në dukje rolin strategjik dhe koordinues që Agjencia Kombëtare e Diasporës, institucion nën Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, luan në hartimin dhe zbatimin e politikave shtetërore për diasporën shqiptare.
Si një institucion kyç, Agjencia Kombëtare e Diasporës punon për të forcuar lidhjet mes shtetit shqiptar dhe bashkëkombësve tanë kudo në botë, duke ndërtuar ura bashkëpunimi funksionale dhe të qëndrueshme.
Po ashtu, u theksua rëndësia e bashkërendimit të vazhdueshëm ndërinstitucional, ku trekëndëshi i bashkëpunimit mes Agjencisë Kombëtare të Diasporës, përfaqësive diplomatike të Shqipërisë në botë si dhe komuniteteve të diasporës përbën një element thelbësor për zbatimin efektiv të politikave të diasporës. Ky koordinim siguron komunikim të drejtpërdrejtë, mbështetje konkrete dhe përfaqësim dinjitoz të interesave të shqiptarëve jashtë vendit. Gjatë kësaj interviste u theksua vëmendja strategjike që i kushtohet komunitetit shqiptar në Itali, si një nga grupet më të mëdha të diasporës shqiptare në Bashkimin Evropian, me mbi 550 mijë bashkatdhetarë, i cili vlerësohet si një partner kyç për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, kulturor dhe shoqëror të vendit; njëkohësisht, theksi vihet edhe mbi komunitetet historike arbëreshe, një pasuri e rrallë kulturore dhe identitare e kombit shqiptar, për ruajtjen dhe promovimin përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me komunitetet përkatëse dhe institucionet partnere në vendet pritëse.
Agjencia Kombëtare e Diasporës përmes programeve, projekteve dhe nismave konkrete, synon të fuqizojë potencialin e diasporës dhe të jetë sa më rezultative, e aksesueshme dhe mbështetëse për shqiptarët kudo që ndodhen.
Për vitin 2026, në bashkëkoordinim të ngushtë me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, por jo vetëm, Agjencia Kombëtare e Diasporës, në kuadër të forcimit të politikave shtetërore, ka në fokus hartimin dhe miratimin e Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2026–2030, si dhe planit të veprimit, organizimin me sukses të Samitit IV të Diasporës, nën kujdesin e Kryeministrit z. Edi Rama, një platformë kyçe e hapur dhe gjithë përfshirëse për forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit mes shtetit dhe diasporës shqiptare. Gjithashtu në objektivat e 2026 do të jetë krijimi i një platforme digjitale për rrjetëzimin profesional të shqiptarëve kudo në botë dhe forcimin e bashkëpunimit me përfaqësitë diplomatike dhe strukturat vendore, thellimi i bashkëpunimit me Këshillin Koordinues të Diasporës, forcimin e rolit të tij këshillimor, në kuadër të zgjerimit të Këshillit me 21 anëtarë. Paralelisht, do të vijojë me punën për mbështjen e promovimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare, si dhe do të nisë puna për krijimin e kornizës ligjore të Qendrave Kulturore në Diasporë, me qëllim rritjen e angazhimit të diasporës në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe social të vendit.
Kjo intervistë është një tjetër dëshmi e transparencës dhe vizionit institucional të Agjencisë Kombëtare të Diasporës, duke nxjerrë në pah angazhimin e saj të palëkundur për të informuar dhe ndërgjegjësuar publikun mbi politikat për diasporën dhe rolin jetik të shqiptarëve jashtë vendit në ndërtimin e së ardhmes së Shqipërisë. Në bashkëpunim të ngushtë me institucionet dhe agjencitë e tjera, Agjencia synon të forcojë lidhjet mes shtetit shqiptar dhe bashkëkombësve tanë kudo në botë, duke krijuar ura bashkëpunimi me ndikim afatgjatë.
Media do të jetë një nga partnerët kryesorë strategjikë të Agjencisë Kombëtare të Diasporës, duke luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e nismave që sjellin ndikim pozitiv për komunitetet shqiptare kudo që ndodhen. Përmes bashkëpunimit me median, synohet evidentimi i hapave që do të ndiqen për ndërtimin e urave të komunikimit, përhapjen e vlerave kombëtare dhe realizimin e projekteve që krijojnë zhvillim, mirëkuptim dhe histori suksesi për diasporën shqiptare.