Grupi ndërinstitucional i punës për zbatimin e urdhrit nr.180 të Kryeministrit “Për përgatitjen e platformës së programeve të emisioneve të posaçme për mësimin e gjuhës shqipe, kulturën shqiptare dhe identitetin kombëtar, të dedikuar për Diasporën” mbajti sot mbledhjen e radhës, ku u diskutuan disa nga pikat më të rëndësishme të këtij urdhri.
Ministri i Shtetit për Diasporën z.Pandeli Majko gjatë takimit theksoi rëndësinë e krijimit të një strukturë të plotë dhe efikase për realizmin e platformës së programeve që do të transmetohen në RTSH Diaspora, ku theksin e vuri te rëndësia e krijimit të emisioneve edukative dhe arsimore.
Një nga çështjet më themelore ku u ndal ministri ishte unifikimi i teksteve të gjuhës shqipe.
“Është e rëndësishme” – tha ministri, “që grupi i ekspertëve i ngritur për zbatimin e “Marrëveshjes për kurrikulat”, lidhur midis Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Shqipërisë dhe homologes në Kosovë, në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve për Diasporën të nisë punën sa më parë, për finalizimin e teksteve të unifikuara të gjuhës shqipe që do të shpërndahen në Diasporë.
Gjithashtu gjatë takimit të sotëm u diskutua edhe për përcaktimin e koordinatorit kombëtare për Programin vjetor të Diasporës, ku u propozua për këtë detyrë zëvendës ministri i Kulturës.
Publikuar më: 14 Janar 2019