Ermonela Xhafa
Ermonela.Xhafa@mfa.gov.al
Znj. Ermonela Xhafa, ka lindur më 2 qershor 1974, është një profesioniste me një karrierë të pasur dhe të larmishme. Ajo ka ndjekur studimet në shkollën e mesme të përgjithshme “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, ku u dallua për rezultate të shkëlqyera. Në vitin 1996, u diplomua juriste në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, me rezultate të larta. Në gusht 2002, përfundoi studimet për “Master në Shkenca MSc në Global Security” në Royal Military College of Science, Universiteti i Cranfield, Oxf UK. Aktualisht, po ndjek studimet doktorale në fushën e të drejtës tregtare në Universitetin Tor Vergata, Romë, Itali dhe studime doktorale PhD në Fakultetin Juridik, Universiteti i Tiranës, Shqipëri.
Në muajin korrik 2024, znj. Xhafa iu bashkua Agjencisë Kombëtare të Diasporës.
Agjencia Kombëtare e Diasporës si institucion pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, do të shërbejë si ura lidhëse me diasporën për promovimin e Shqipërisë, rritjen dhe integrimin e saj në BE, si dhe për bashkëpunimin Euro-Atlantik, ashtu sikurse edhe në integrimin e çdo shqiptari në Diasporë dhe nxitjen e partneritetit me vendin e origjinës.
Me një përvojë të pasur mbi 30 vjeçare në sektorin qeveritar si dhe në atë publik, znj. Xhafa ka mbuluar disa pozicione drejtuese në Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Mbrojtjes, Komisionere e Avokatit të Popullit, Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Komisionere e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Trajtimit ose Dënimit të Egër, Çnjerëzor ose Poshtërues, si dhe ka drejtuar Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara Bashkëqeverisje (ADISA).
Ka eksperiencë si pedagoge e jashtme në Departamentin e së Drejtës Civile dhe Departamentin e së Drejtës Publike, pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Trajnere për bashkëpunim juridik ndërkufitar në çështjet civile, për të drejtat e njeriut për zyrtarët e administratës publike, të certifikuara nga OSBE-ja dhe ASPA.
Znj. Xhafa ka shërbyer si eksperte dhe konsulente në një sërë projektesh me fokus të drejtat e njeriut (gratë dhe fëmijët), çështjet e ekonomisë, qeverisjen lokale, drejtuar dhe moderuar shumë konferenca dhe tavolina pune lidhur me të drejtat e njeriut. Ka kryer një sërë trajnimesh dhe specializimesh brenda dhe jashtë vendit për çështjet e të drejtave të njeriut, sistemin e drejtësisë, për çështjet e sigurisë, marrëdhëniet ndërkombëtare, marrëdhëniet juridiksionale me jashtë, tregtinë ndërkombëtare etj.
Pjesëmarrëse në borde, grupe pune dhe komisione, anëtare e Komitetit Kombëtar për Shëndetin Mendor dhe anëtare e Komitetit Teknik për Migracionin, si dhe ka marrë pjesë në grupet e punës për hartimin e Strategjisë në sektorin e Drejtësisë: Strategjisë së Drejtësisë për të Mitur, Strategjisë për Administratën Publike, dhe Strategjisë kundër Korrupsionit. Gjithashtu, ka qenë zëvendëskryetare e grupit të punës për Prioritetin e 2-të.
Znj. Xhafa ka eksperiencë si përfaqësuese në disa nën-komitete Shqipëri-BE dhe pjesë e stafit teknik të Dialogut të nivelit të lartë BE-Shqipëri dhe koordinatore e Ministrisë së Drejtësisë për iniciativa dhe politikat e masave parandaluese antikorrupsion; vendet anëtare të Konferencës së Hagës dhe EUROJUST.
Projekt-lider i projektit “Përmirësimi i sistemit të përmbarimit në Shqipëri”, projekti i binjakëzimit BE-AL. Gjithashtu pjesë e Grupit Negociator të Punës për Integrimin Europian Shqipëri-BE, për Reformën në Administratën Publike, PAR, referuese në shtyllën “Delivery Services”.
Është autore e një sërë publikimesh, studimesh kërkimore dhe shkrimesh shkencore në revista juridike. Ka marrë pjesë si lektore në një sërë trajnimesh, konferencash dhe seminaresh në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe italiane dhe ka njohuri të mira të gjuhës gjermane.