Shqipëria ofron një kuadër ligjor mjaft miqësor, sa i takon investimeve të huaja. Ligji “Për investimet e huaja” mbështetet në parimet e barazisë, mosdiskriminimit dhe mbrojtjes së investitorëve.

Sipas këtij ligji:

  • Nuk ka nevojë për autorizim paraprak për të huajt që të hapin një biznes në Shqipëri.
  • Është e mundur pronësia 100% e huaj në një ndërmarrje.
  • Investitorët e huaj kanë të drejtë për të riatdhesuar të gjitha fondet dhe kontributet, në natyrë të investimeve të tyre.
  • Investitorët trajtohen në kushte jo më pak të favorshme se ato të parashikuara për investime vendase në rrethana të ngjashme, përveç pronësisë së tokës, e cila rregullohet me ligj të veçantë.
  • Në çdo rast, investimet e huaja kanë trajtim jo më pak të favorshëm se ai i parashikuar nga normat e pranuara, përgjithësisht të së drejtës ndërkombëtare.
  • Një kompani, me pjesëmarrje të investimeve të huaja, ka të drejtë të punësojë edhe shtetas të huaj.
  • Prona private dhe investimet mbrohen me ligj nga shpronësimi, apo nga masa me efekt të ngjashëm, me përjashtim të rasteve, kur shpronësimi kryhet për një qëllim publik.
  • Në të gjitha rastet dhe në çdo kohë, investimet kanë trajtim të barabartë e të paanshëm, gëzojnë mbrojtje e siguri të plotë.

Ligji “Për investimet e huaja”

Fluksi i IHD

Flukset e investimeve të huaja direkte kanë mbështetur ekonominë vendase, në mënyrë të qëndrueshme.

Në vitin 2018, krahasuar me vitin paraardhës, vlera e fluksit është rritur më 123 milionë euro ose 13,7%. Rritja ka vijuar edhe përgjatë vitit 2019, duke shënuar vlerën 1,079 milionë euro, më e lartë nga viti 2014.

Në vitin 2019, sektorët më dominues kanë qenë sektori i energjisë me 31% të fluksit total, i ndjekur nga industria nxjerrëse me 20%. Pas tyre, vjen sektori i aktiviteteve financiare dhe të sigurimit me 11,6% dhe sektori i aktiviteteve të pasurive të paluajtshme me 11,7%.

Sipas shteteve, fluksi më i madh ka ardhur nga Holanda (24%), ndjekur nga Zvicra (18%) dhe nga Italia (11%).

Referuar të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për periudhën janar-qershor 2020, indikatori i fluksit shënon vlerën 454 milionë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë, të një viti më parë, kur fluksi shënonte 546 milionë euro, vihet re një ulje me rreth 17 %.

Burimi kryesor i hyrjeve të IHD-ve, për 6-mujorin e parë të vitit, ka qenë sektori i energjisë që përfaqësonte 35.4 % të fluksit total. Sektorë të tjerë ekonomikë, me një kontribut të lartë në IHD janë sektori i industrisë nxjerrëse me 18.2 % dhe ai i aktiviteteve financiare dhe të sigurimit me 13.2 %, ndaj totalit.

Sipas shteteve, fluksi më i madh ka ardhur nga Holanda (31.5%), Zvicra (26%) dhe Turqia (10.5%).

Stoku i Investimeve të Huaja Direkte

Vlera e stokut, për vitin 2019, shënon shifrën 8,542 milionë euro dhe është rritur me 939 milionë euro, (ose 12,4%) në krahasim me vitin e mëparshëm. Pjesën më të madhe të stokut e zënë investimet në sektorin e energjisë me 28,3%, ndjekur nga sektori i industrisë nxjerrëse me 14,4%. Pas tyre, vjen sektori i informacionit dhe komunikacionit me 13,1% dhe sektori i aktiviteteve financiare dhe të sigurimit me 12,7%. Sipas shteteve, pjesën më të madhe të stokut e zënë investimet zvicerane me 18%, ndjekur nga ato holandeze me 15% dhe kanadeze me 13%.

Në fund të tremujorit të dytë të vitit 2020 (T2), indikatori i stokut shënon vlerën 8,419 milionë euro. Krahasuar me periudhën T1 2020, kur stoku shënonte 7,927 milionë euro, kemi një rritje me 492 milionë euro ose 6.2 %. Krahasuar me të njëjtën periudhë, të një viti më parë (T2 2019), kur stoku shënonte 7,772 milionë euro, rritja është prej 8.3 %.

Për T2 2020, burimi kryesor i hyrjeve të IHD-ve ishte energjia që përfaqësonte 40.7 % të fluksit total. Sektorë të tjerë ekonomikë, me një kontribut të lartë në IHD, janë sektori i aktiviteteve financiare dhe i sigurimit me 22.1%, sektori i industrisë përpunuese me 8.1 %, informacioni dhe komunikacioni me 7.6 %, ndaj totalit.

Për T2 2020, investimet e huaja në vend janë dominuar nga Zvicra, e cila ka kontribuar me rreth 33.4 % në fluksin total, e ndjekur nga Holanda, Turqia, Austria dhe Italia, përkatësisht me: 20.3%, 12.6 %, 8.6% dhe 8.1%.