Firmoset marrëveshje bashkëpunimi për ofrimin e kuotave të pranimit nga Universiteti i Tiranës për studentët e huaj me origjinë shqiptare të cilët përfitojnë bursë nga Agjencia Kombëtare e Diasporës për vitin akademik 2020-2021.
Rektori i Universitetit të Tiranës, z. Artan Hoxha dhe Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, znj. Sonila Hysi kanë firmosur një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim zbatimin e Vendimit Nr. 686, datë 02.09.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kriteret e dhënies së bursave për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare, për të studiuar në Republikën e Shqipërisë, nga Agjencia Kombëtare e Diasporës për vitin akademik 2020-2021”.
Sipas kësaj marrëveshje, Universiteti i Tiranës merr përsipër të ofrojë nëntë kuota pranimi për studentët e huaj me origjinë shqiptare të cilët përfitojnë bursë nga Agjencia Kombëtare e Diasporës për vitin akademik 2020 – 2021, sipas përzgjedhjes paraprake që bën Komisioni i Dhënies së Bursave, në përputhje me Vendimin Nr. 686, datë 02.09.2020 të Këshillit të Ministrave. Ndërsa Agjencia Kombëtare e Diasporës merr përsipër të financojë këto bursa në përputhje me kërkesat dhe kushtet financiare të Universitetit të Tiranës si dhe të lehtësojë procedurat për regjistrimin e tyre.
Me qëllim mësimin dhe thellimin e njohurive të gjuhës së origjinës do të përfitojnë tre bursa studimi shtetasit e huaj me origjinë shqiptare nga Ukraina, dy bursa studimi shtetasit e huaj me origjinë shqiptare të komunitetit Arbëresh në Itali, dy bursa studimi shtetasit e huaj me origjinë shqiptare në Kroaci dhe dy bursa studimi shtetasit e huaj me origjinë shqiptare nga Bullgaria.
MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI NDËRMJET AGJENCISË KOMBËTARE TË DIASPORËS DHE UNIVERSITETIT TË TIRANËS