Organizimi i Doganave

Legjislacioni doganor në Republikën e Shqipërisë është plotësisht, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

  • Legjislacioni parësor – Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë, (ligji 102/2014) është afruar plotësisht me Kodin Doganor të BE-së (Rregullorja e BE-së 952/2013).
  • Legjislacioni dytësor – Dispozita zbatuese e Kodit Doganor (Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 651/2017).
  • Ekzistojnë një numër i akteve ligjore të nivelit të tretë (kryesisht, udhëzimet e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave), që lidhen me funksionimin e regjimeve, kontrollet etj.

Regjistrimi i Përpunimit Aktiv

Regjimi më i rëndësishëm për një kompani është Regjimi i Përpunimit Aktiv, (IPR). Regjimi lejon që mallrat jo shqiptare, të hyjnë (ose të importohen) në Shqipëri, të përpunohen dhe pastaj të rieksportohen në vendin e destinacionit, pa detyrime për importin dhe TVSH-në në import, në Shqipëri.

Nëse kompania vendos të shesë një pjesë të prodhimit në Shqipëri, ajo duhet të paguajë detyrimet e importit, por detyrimet e importit në këtë rast bazohen në vlerën doganore të lëndëve të para dhe jo në vlerën e produkteve më të procesuara.

Kërkesa duhet të paraqitet në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave në Tiranë. Dogana Durrës do të jetë përgjegjëse për monitorimin e regjimit. Formalitetet e importit dhe eksportit, mund të bëhen në çdo pikë kufitare të Republikës së Shqipërisë.

 

Regjistrimi i NIPT-it

Për kryerjen e procedurave doganore, çdo kompani duhet të regjistrojë më parë NIPT-in në sistemin “Asycuda World”.

Përjashtimi nga TVSH

  • Sipas ligjit “Për TVSH-në”, makineritë dhe pajisjet e përdorura në procesin e prodhimit, për kompanitë që punojnë nën Regjimin e Përpunimit Aktiv janë të përjashtuara nga TVSH-ja gjatë importit.
  • Gjithashtu, TVSH-ja përjashtohet për makineritë dhe pajisjet për investime më të larta se 400,000 euro.

Sidoqoftë, në të dy rastet më lart, jo të gjitha llojet e makinerive janë të përjashtuara. 

Ekziston një aneks me kode mallrash të makinerive që mund të përfitojnë nga përjashtimi i TVSH-së. Duhet të bëhet një kontroll për çdo kod tarifor të makinerive dhe materialeve të tjera.

Kompania mund t’i dërgojë AIDA-s listën e makinerive të destinuara për import, kështu që AIDA mund të kontrollojë listën në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë

Shqipëria ka nënshkruar disa Marrëveshje të Tregtisë së Lirë, (MTL) me tregjet kryesore (Bashkimi Evropian, Turqia, CEFTA, vendet e EFTA), duke ofruar hyrje falas të doganave në një treg të madh të konsumatorëve.

Do të thotë që produktet që marrin origjinë shqiptare, (sipas rregullave të origjinës në fuqi) mund të eksportohen nga Shqipëria dhe nëse importohen në vendet e lartpërmendura, nuk paguajnë detyrime doganore.