Shqipëria, ofron jo vetëm një forcë punëtore shumë të aftë, por edhe me kosto më të ulët në rajon.

Marrëdhëniet e punës ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit janë të rregulluara nga kontrata pune individuale ose kolektive, në bazë të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 152/2013 “Për statusin e nëpunësit civil” (ndryshuar me ligjin nr. 178/2014 dhe ligjin 41/2017).

Shqipëria aderon në të gjitha organizatat themelore të punës dhe konventat ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve.

Paga

Paga minimale në Shqipëri është 34,000 lekë (afërsisht 293 euro). Paga bazë minimale mujore, paguhet për 8 orë punë në ditë.

Paga maksimale, për efekt të përllogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore është 144,954 lekë.

Sipas të dhënave nga INSTAT, paga mesatare për vitin 2020 (sektori publik dhe privat) është 53,662 lekë, (afërsisht 441 euro).

Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë, në fund të vitit 2019, për grup-moshën 15-64 vjeç është 69.1 %.

Punësimi sipas Grup-Sektorëve

Sektori i shërbimeve dhe sektori bujqësor kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve, përkatësisht me 43.4 % dhe 36.1 % të të punësuarve gjithsej.

Më pas, vijon sektori i prodhimit (11.2%), ndërtimi (7%) dhe industritë e tjera (2.3%).