Sot, Agjencia Kombëtare e Diasporës zhvilloi një takim virtual me Oficerët Koordinues për Çështjet e Diasporës në kuadër të Vendimit Nr. 780, datë 06.11.2019 “Për caktimin e Oficerëve Koordinues për Çështjet e Diasporës Shqiptare në Konsullatat Shqiptare në Itali dhe Greqi” i Këshillit të Ministrave.
Në këtë takim morën pjesë, znj. Sonila Hysi, Drejtore e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, z. Armand Skapi, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Ada Ilia, Drejtore e Kabinetit të Ministrit të Shtetit për Diasporën, znj, Aurela Konduri, Oficer Koordinues në Selanik, znj. Joneda Dodaj, Oficer Koordinues në Athinë, znj. Luljeta Cobanaj, Oficer Koordinues në Milano dhe z. Edmond Kumaraku, Oficer Koordinues në Romë.
Diskutimet u përqëndruan mbi funksionimin dhe veprimtarinë e Oficerëve Koordinues për Çështjet e Diasporës në zhvillimin e marrëdhënieve me komunitetet shqiptare në shtetin pritës, identifikimin e nevojave për arsimimin dhe komunikimi me mësuesit e programeve plotësuese të gjuhës e të kulturës shqiptare, nxitjen dhe organizimin e bizneseve shqiptare në vendin pritës, si dhe identifikimin dhe asistimin e shtetasve shqiptarë, të cilët vuajnë dënimin me heqje të lirisë në shtetin pritës.