Agjencia Kombëtare e Diasporës (AKD), në bashkëpunim me Dhomën e Biznesit të Diasporës Shqiptare dhe Agjencinë STARTUP Albania, dhe nën kujdesin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, organizoi sot panelin e diskutimeve: “Diaspora Shqiptare – Partneritet në Ndërkombëtarizim.”

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Javës Globale të Sipërmarrjes dhe kishte për synim të forcojë rolin e diasporës shqiptare si partner strategjik në proceset e ndërkombëtarizimit ekonomik, profesional dhe institucional të Shqipërisë.

Diskutimet u fokusuan në mënyrat se si ekspertiza, rrjetet profesionale dhe përvojat ndërkombëtare të diasporës mund të shndërrohen në partneritete të qëndrueshme për bizneset shqiptare, institucionet publike dhe nismat komunitare.
Në qendër të diskutimeve ishin gjithashtu nxitja e inovacionit, transferimi i dijes dhe promovimi i markës “Made by Albanians”, si një qasje e unifikuar për forcimin e identitetit ekonomik e kulturor shqiptar në tregjet globale.

Gjatë punimeve dolën ide për projekte të përbashkëta ndërmjet institucioneve dhe bizneseve të diasporës, si dhe rekomandime për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe mbështetjen e sipërmarrjeve shqiptare jashtë vendit.

U theksua gjithashtu se janë bërë një numër i konsiderueshëm aplikimesh dhe janë fituar disa projekte që mbështesin financiarisht bizneset e diasporës, duke forcuar rolin e tyre si faktor zhvillimi dhe inovacioni.

Aktiviteti u zhvillua në formën e një tryeze pune, ku të pranishmit ndanë përvoja dhe ide konkrete bashkëpunimi.

Në fillim të panelit, të pranishmit u përshëndetën nga Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Blerta Rama, e cila ndau përvojën e saj personale si pjesë e diasporës shqiptare dhe vuri theksin tek rëndësia e talenteve, profesionalizmit dhe potencialit të lartë inovativ që diaspora sjell në zhvillimin ekonomik të vendit.

Në panel morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, Këshillit Koordinues të Diasporës (KKD), GIZ dhe sipërmarrës nga Shqipëria dhe jashtë saj, të cilët ndanë përvoja suksesi dhe ide konkrete bashkëpunimi për zhvillimin ekonomik dhe profesional të vendit.