Sot u zhvillua seanca dëgjimore online me Komisionin për Politikën e Jashtme. Në këtë seancë morën pjesë ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko dhe drejtoreshat ekzekutive: znj. Sonila Hysi nga Agjencia Kombëtare e Diasporës (AKD), znj. Mimoza Hysa nga Qendra e Botimeve për Diasporën (QBD), znj. Majlinda Vogli nga Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës (FSHZHD), si dhe znj. Diana Kastrati nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA).
Gjatë kësaj seance u diskutua projektligji “Për buxhetin e vitit 2021” akorduar për Ministrin e Shtetit për Diasporën. Misioni i Ministrit të Shtetit për Diasporën është të përfaqësojë dhe të nxisë politikat e bashkëpunimit dhe të ndërveprimit me të gjithë shqiptarët, duke nxitur e fuqizuar bashkëpunimin në të gjitha fushat me shqiptarët jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe shtetet ku ata banojnë. Drejtueset e institucioneve të diasporës, të cilat mbështesin misionin e Ministrit të Shtetit për Diasporën duke ndihmuar dhe kontribuar konkretisht në çështje që lidhen me Diasporën, njohën anëtarët e këtij komisioni me projekt-buxhetin për institucionet përkatëse.