Studentët shqiptarë të arkitekturës në Itali prezantuan përfundimet e studimit të tyre, të realizuar pak muaj më parë, në disa nga monumentet kulturore shqiptare. Këto përfundime ata i paraqitën

gjatë një takimi të organizuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin “IOM”, ku mori pjesë edhe Ministri i Shtetit për Diasporën, zoti Pandeli Majko, i cili, në fjalën e tij, vlerësoi kontributin e të rinjve për përfshirjen në projekte të tilla në dobi të vendit së tyre të origjinës, pasi, si kurrë më parë, Shqipëria ka nevojë për njerëzit e saj, dijet dhe eksperiencën tyre.

“Kjo nismë është një shembull i përsosur për ndërtimin e lidhjeve, shkëmbimin e informacionit dhe përvojave të Diasporës së kualifikuar shqiptare”, – u shpreh më tej ministri. Studiuesit e rinj, pjesë e projektit “Diaspora si një burim për ruajtjen dhe përmirësimin e monumenteve kulturore më pak të njohura në Shqipëri”, kanë përfunduar studimet e tyre në Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit të Firences, si pjesë e skemës së Fellowship-it të Programit të IOM. Ata e kryen studimin për monumentet kulturore shqiptare në pesë fshatra: në Përmet, në fshatin Bënjë, Leusë, Kosinë, në fshatin malor të Razmës, Shkodër, dhe fshatin bregdetar të Zvërnecit në Vlorë.