Komisioni Parlamentar për Politikën e Jashtme shqyrtoi sot në parim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 115/2017 “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës”.
Në mbledhjen e komisionit ishin të ftuar edhe Ministri i Shtetit për Diasporën, Z. Pandeli Majko, Drejtuesja Ekzekutive e AKD-së, Znj. Sonila Hysi dhe Drejtore e Diasporës, Znj. Klaudia Hasanllari.

Projektligji i propozuar nga deputeti Adnor Shameti dhe i konsultuar me Ministrin e Shtetit për Diasporën dhe Agjencinë Kombëtare të Diasporës synon kryerjen e disa shtesave dhe ndryshimeve në ligjin aktual, që lidhen me përmirësimin e kuadrit ligjor të Agjencisë Kombëtare të Diasporës, duke u mbështetur në zhvillimin e punës së Agjencisë dhe problematikat e hasura gjatë zbatimit të legjislacionit gjatë këtyre viteve të funksionimit.

Relatori për komisionin, deputeti Alket Hyseni theksoi rëndësinë e miratimit të këtij projektligji në lehtësimin e procedurave dhe rregullimin e kuadrit rregullator ligjor të Agjencisë dhe ftoi Komisionin ta miratojë atë.

Në përfundim, Komisioni votoi me të gjitha votat pro dhe shprehu vlerësimin për misionin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe gjithë institucioneve që veprojnë në ndihmë të këtij misioni për shqiptarët jashtë vendit.​