Të gjithë shqiptarët kudo gjenden shumë shpejt do të kenë mundësi të njihen në kohë reale me gjithçka ndodh në Diasporën Shqiptare. Kjo, falë aplikacionit më të ri “Diaspora Shqiptare”.

Synimi i këtij aplikacioni është që të ofrojë informacion të plotë për gjithçka ndodh në “Diasporën Shqiptare”, të pasqyrojë aktivitetet e komunitetit shqiptar në çdo vend e mbi të gjitha të jetë pikë referimi për të gjithë shqiptarët kudo janë. Aplikacioni “Diaspora Shqiptare” do të jetë një platformë aktive për të gjithë veprimtarinë e Këshillit Koordinues të Diasporës, i cili përbëhet nga 15 përfaqësues të komunitetit shqiptar në botë.

Nëpërmjet këtij aplikacioni do të vijnë te ju lajme, analiza, ide, sugjerime dhe komente lidhur me realitetin shqiptar brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Nëpërmjet kategorive të përzgjedhura mund të gjeni informacionin që ju nevojitet: aktualitet, histori suksesi në fusha të ndryshme, kulturë, sport etj. Ai është i ndarë sipas shteteve, ku lexuesi mund të përzgjedhë të lexojë vetëm lajmet, nga një ose disa shtete të caktuara.

Ajo çka e bën të veçantë këtë aplikacion është fakti se për herë të parë shqiptarët kanë një hapësirë virtuale të përbashkët ku mund të informohen për gjithçka ndodh në komunitetin shqiptar anë e mbanë botës.