Dijetari i madh dhe ideologu i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare Sami Frashëri, u lind në fshatin Frashër të Shqipërisë në qershor të vitit 1850. Mësimet e para Samiu i mori në fshatin e lindjes, në Frashër, kurse ato të mesme i kreu në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Më 1871 u vendos në Stamboll, ku filloi punën krijuese letraro-shkencore dhe veprimtarinë në të mirë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në të njëjtën kohë ai u lidh edhe me lëvizjen përparimtare politiko-shoqërore turke. Gjatë kësaj kohe e veçanërisht në vitet e Lidhjes së Prizrenit e më vonë, Samiu u dallua edhe si mbrojtës i vendosur i të drejtave të popullit shqiptar, si një organizator e udhëheqës i shquar i lëvizjes politike e kulturore kombëtare shqiptare.

Samiu ishte një nga themeluesit e kulturës në gjuhën shqipe që lulëzoi në gjysmën e dytë të shek. XIX. Ai shkroi 5 tekste për shkollën e parë shqipe, më të mirat ndër ato që ishin botuar deri atëherë. Një vlerë të veçantë ka “Shkronjëtorja e gjuhësë shqip” (1886), një nga gramatikat më të mira, hartuar në të kaluarën. Në të Samiu dha sistemin gramatikor të gjuhës shqipe, përpunoi kategoritë e saj themelore dhe formuloi terminologjinë përkatëse, një pjesë e së cilës i ka qëndruar me sukses kohës.

Ai u dallua si një punonjës i palodhur në fushën e letërsisë e të shkencës. Rezultatet e studimeve të tij i botoi turqisht me emrin Shemsettin Sami ose Sh. Sami Frashëri. I dha kulturës turke mbi 40 vepra, shumica orgjinale, disa përkthime, një pjesë të të cilave mbetën të pabotuara. Në listën e gjatë të veprave të Samiut ka shkrime letrare, novela e drama, fjalorë e tekste shkollore, broshura për popullarizimin e njohurive shkencore, studime mbi gjuhësinë e letërsinë turke e arabe. Samiu i dha popullit turk të parin fjalor normativ dhe etimologjik të turqishtes dhe të parën enciklopedi të historisë e të gjeografisë të botuar në 6 vëllime. Ai drejtoi gjithashtu disa organe shtypi, gazeta e revista, si “Feneri” (1873), “Kopështi” (1873), “Mëngjesi” (1876), “Zëdhënësi i Lindjes” (1878) dhe “Java” (1881).

Në gjithë pasurinë letrare e publicistike dallohet kryevepra e tij në gjuhën shqipe “Shqipëria ç’ka qënë ç’është e ç’do të bëhetë?” (1899), e cila me të drejtë është çmuar edhe si manifesti politik i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Idetë e orientimet e kësaj vepre, së bashku me ato të fjalëve të urta të botuara në turqisht dhe të të gjithë veprës së tij të gjerë shkencore, e bëjnë Samiun një nga dijetarët më në zë që ka nxjerrë historia e popullit shqiptar, atdhetarin e madh dhe humanistin e shquar të kulturës kombëtare shqiptare.

Idetë më të afërta për Samiun, ato që ndeshen më shpesh në veprën e tij dhe që shprehen më me forcë, janë ato që kanë të bëjnë me kombin, me tiparet e tij, me rrugën e çlirimit kombëtar, me të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë. “Sendet më të shtrenjtë në botë, – shkruante Samiu, – janë nderi dhe atdheu. Ata që për dobi personale shkelin dashurinë e atdheut, ata shkelin njëkohësisht edhe nderin e tyre”. Atdhedashurinë ai e shihte si një ndjenjë të tillë, së cilës “asnjë nuk mund t’i bëjë ballë”. “Topi që shemb kështjellat më të fuqishme është atdhedashuria”, thoshte Samiu.

Një problem i lidhur ngushtë me kombin është ai i gjuhës. “Shenja e kombësisë është gjuha, – shkruante Samiu, – çdo komb mbahet nga gjuhët”. Kur një komb e humb gjuhën, humb dhe veten. Me ç’gëzim të madh shkruanin Samiu e Naimi në një letër dërguar një mikut të tyre për arritjet në shkrimin e në lëvrimin e gjuhës shqipe: “Armiqtë e kombit tonë, – thoshin ata, – donin të na gënjenin ç’prej kohe se gjoja gjuha shqipe është një gjuhë e prishur dhe trashamane, se nuk mund të shkruhet, se s’ka gramatikë, se me të nuk mësohen shkencat e tjera. Por në fund panë se shqipja u bë, u shkrua, u krijua alfabeti i saj, u hartua gramatika, u shtypën librat e shkencës, u përkthyen poezi të bukura prej çdo gjuhe të huaj. Me një fjalë u kuptua se ç’gjuhë e përsosur dhe e rregullt është shqipja”.

Samiu ishte një luftëtar i të drejtave njerëzore. Dëshmi për këtë është qëndrimi i Samiut ndaj gruas. Problemit të gruas, të vendit të saj në shoqëri, të rrugëve të emancipimit të saj, Samiu i kushtoi një libër të tërë. Gruas ai i njihte një rol shoqëror, atë të edukimit të brezit të ri dhe, nëpërmjet tij, të konsolidimit të vetë shoqërisë. Gjithashtu ai i njihte gruas të drejta të barabarta me burrin në familje.

Shkrimet e Samiut, e gjithë vepra e tij në shqip dhe në turqisht është e mbushur me një besim të madh në çlirimin e afërt të Shqipërisë, në një të ardhme më të mirë të saj. Ai punoi për ta përgatitur popullin për këtë të ardhme të lirë e të pavarur dhe me idetë e veprat e tij, si edhe me veprimtarinë politiko-shoqërore, i frymëzoi shqiptarët të luftonin për sigurimin e saj.