Në takimin e radhës të Komitetit Shtetëror për Diasporën, ministri i Shtetit për Diasporën prezantoi ecurinë e ndërtimit të strukturës shtetërore përfshirë aktivitetin e deritanishëm të Agjencisë Kombëtare të Diasporës, Fondit të Zhvillimit për Diasporën dhe Qendrën e Botimeve për Diasporën.

Gjatë takimit të sotëm u prezantuan edhe koordinatorët shtetëror: Koordinatori Shtetëror për Marrëveshjet Shtetërore në fushën e sigurimeve për shtetasit shqiptar jashtë vendit, zv.ministri për Europën dhe Punët e Jashtme z. Etjen Xhafaj; Koordinatori shtetëror për organizimin e programit vjetor të aktiviteteve për diasporën shqiptare, zv.ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, znj. Ornela Çuçi; Koordinatori shtetëror për informimin e diasporës; Z. Fatjon Hallkaj ( AKSHI); Koordinatori shtetëror për programet/donatorët të cilët ofrojnë bursa studimi për jashtë vendit, zv.ministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, z. Redi Shtino si dhe Koordinatori Shtetëror për Marrëveshjet Shtetërore në fushën e njohjes së lejeve të drejtimit të automjeteve për shtetasit shqiptarë jashtë vendit, zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, z.Artan Shkreli.Secili koordinator njohu anëtarët e komitetit me punën e realizuar si dhe objektivat e ardhshme.

Misioni i Komitetit Shtetëror për Diasporën i cili ka në përbërje ministrat kryesorë, është përgatitja e linjave orientuese për politikat e reja në fushën e Diasporës, propozimi i mekanizmave ligjorë dhe institucionalë për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve jashtë vendit, si dhe nxitjen e dialogut dhe koordinimit për zbatimin e strategjisë.