Të nderuar pjesëmarrës,

“Pashtetësia” është një term jo shumë familjar për publikun shqiptar. Por, kjo nuk ka të bëjë me thelbin e problemit për të cilin jemi mbledhur sot, të ftuar nga zyra e UNCHR dhe Shoqata e Ndihmës Ligjore në Tiranë.

Neni 15 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut të 1948, i jep çdo individi, kudo në botë, të drejtën për të patur një lidhje ligjore me një shtet. Qytetaria dhe shtetësia janë enë komunikuese dhe ju siguron njerëzve një ndjenjë identiteti dhe u mundëson individëve mbrojtjen nga një shtet dhe gëzimin e shumë të drejtave civile dhe politike.

Pashtetësia është një “mallkim juridik” për individin.

Shpjegimi human i “pashtetësisë” me citimin e dikujt vjen kështu: “Një ditë unë isha duke qëndruar në mes dy kufijve, dhe nuk mund të hyja në asnjërin prej vendeve. Ishte eksperienca më e paharruar e jetës sime. Unë s’mund të hyja në vendin ku kisha qenë; edhe as nuk mund të hyja në shtetin ku kisha lindur, isha rritur dhe kisha jetuar! Kujt i përkas unë?! Ende s’mund ta harroj ndjenjën e fortë të humbjes që përjetova në aeroport…”

Pashtetësia nuk është veç ndjenjë e dhimbjes njerëzore. Ajo mund të vijë nga një numër shkaqesh, përfshi konfliktin e ligjeve, transferimin e territorit, ligjet për martesën, praktikat administrative, diskriminimin, mungesën e regjistrimit të lindjes, denacionalizim (kur një shtet i heq shtetësinë një individi) dhe heqja dorë (kur një individ refuzon mbrojtjen nga një shtet).

Është pikërisht lidhja e “pashtetësisë” me situatat e refugjatëve që fillimisht ka nxitur Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të emërojë Zyrën e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) si agjencinë përgjegjëse për mbikëqyrjen e parandalimit dhe zvogëlimit të pashtetësisë.

Sipas përllogaritjeve të përafërta ka rreth 11 milionë persona pa shtetësi në të gjithë botën. Por ky numër është një përllogaritje e hamendësuar. Koncepti i pashtetësisë është i diskutueshëm midis vendeve edhe sepse çështja e pashtetësisë ende nuk renditet si e “rëndësishme” në marrëdhëniet tradicionale ndërkombëtare.

Megjithatë, gjatë viteve të fundit ka një ndërgjegjësim në rritje, bazuar në parimet e traktateve ndërkombëtare, që shtetet janë të detyruara t’i zgjidhin problemet e pashtetësisë. Qeveritë duhet të pranojnë, formalisht dhe në praktikë, se ato nuk kanë të drejtë të tërheqin prapa apo t’ua pengojnë përfitimet e qytetarisë individëve, të cilët mund të demonstrojnë një lidhje të sinqertë dhe efektive me vendin e tyre.

Për herë të parë për çështjen e “pashtetësisë” është shprehur edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në “rastin Nottebohm”. Gjykata deklaroi se: “Në bazë të praktikës së shteteve, vendimeve arbitrare dhe gjyqësore… shtetësia është lidhja juridike që ka në bazë të saj një fakt social të përkatësisë, një lidhje të pastër të ekzistencës, interesit dhe ndjenjave, së bashku me ekzistencën e të drejtave dhe detyrimeve reciproke.”

Megjithëse neni 15 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut pohon se çdo person ka të drejtën e një shtetësie, ai nuk e përshkruan shtetësinë specifike që i takon një personi. Për të siguruar që personat nuk janë të privuar nga një minimum i caktuar i të drejtave që lidhen me shtetësinë, komuniteti ndërkombëtar hartoi dy traktate: Konventa e vitit 1951 në lidhje me Statusin e Refugjatëve dhe Konventa e vitit 1954 në lidhje me Statusin e Personave Pa Shtetësi.

Instrumenti i cili përfundimisht doli nga ky proces është Konventa mbi Zvogëlimin e Pashtetësisë e vitit 1961.

Të nderuar miq,

Shqipëria në fushën e migracionit dhe diasporës është përballë një fushe të pa eksploruar ku duhet të përballemi edhe me problematika të fshehura nga sytë e publikut siç është “pashtetësia”. Kemi një administratë e cila është ende e pamësuar me trajtimin e shtetasve jashtë vendit si një pjesë e të së tërës.

Në raportet me diasporën, e panjohura është po aq edhe urgjencë për zgjidhje. Kjo situatë detyron të nxitojmë të shplurosim çdo shqetësim apo problematikë të cilin deri më sot e kishim shpërfillur në raftet e harresës, duke i adresuar ato mbi bazën e një kornize të fortë ligjore e cila po krijohet me kujdes.

Raporti mbi popullsinë në rrezik pa shtetësie, i cili do të prezantohet sot, konstaton se 53 përqind e personave të prekur nga ky problem janë të lindur jashtë vendit, gjysma e të cilëve fëmijë…

Të dhënat e nxjerra nga autorët e raporti, të cilët përfitoj nga rasti t’i përgëzoj për punën e çmuar, ishin për ne si një zile që na kujtoi një takim të papritur, atë me “mallkimin” e pa shtetësisë.

Procedurat e ndërlikuara, mos dituria dhe problemet teknike, nuk mund dhe nuk duhet të justifikojnë këtë të keqe të fjetur për shumë kohë. Shtetësia është e drejtë themelore, nga e cila burojnë të gjitha të drejtat e tjera.

Eshtë e dhimbshme që rastet kryesore të pa shtetësisë kanë të bëjnë me fëmijë të lindur nga prindër shqiptarë jashtë vendit, të cilët për arsye të ndryshme janë detyruar të kthehen në atdhe. Pasaktësitë në të dhënat e identitetit që shumë emigrantë kanë ofruar në vendet pritëse, mungesa e sigurive në legjislacionet përkatëse për parandalimin e këtij fenomeni dhe procedurat e papërshtatshme, kanë formësuar këtë rrezik të ri, i cili nuk është më dhe aq i izoluar.

Kjo që po diskutojmë sot është një rrezik që kërkon mobilizim ndërinstitucional, bashkëpunim dhe koordinim jo vetëm mes ministrive e agjencive të ndryshme shtetërore dhe shoqërisë civile, por edhe marrëveshje ndërshtetërore me ato vende ku rasti i shqiptarëve pa shtetësi është më i theksuar.

Është përgjegjësi e institucioneve shqiptare të sigurojë që të gjitha detyrimet ndërkombëtare dhe rajonale në lidhje me të drejtën e shtetësisë, të jenë plotësisht të përfshira në ligjin vendas dhe të zbatohen në praktikë.

Shpresoj që diskutimi i sotëm të hapë siparin e një vlerësimi kombëtar masash dhe iniciativash të cilat do të shërbejnë për gjetjen e zgjidhjeve ndaj këtij problemi.

Për të gjetur zgjidhje sa më efikase çështja duhet adresuar që në gjenezë. Eshtë shumë i rëndësishëm identifikimi dhe mbledhja e të dhënave të sakta mbi kategoritë të cilat e kanë të pamundur sigurimin e shtetësisë. Bashkëpunimi i ngushtë me konsullatat tona jashtë vendit në këtë aspekt, do të shërbejë si një faktor lehtësues.

Një rol thelbësor kanë zyrat e gjendjes civile, të cilat mendoj se mund të mbajnë një regjistër me të gjitha rastet e këtij lloji duke ia raportuar ato më pas autoriteteve përgjegjëse. Kjo do të ndihmonte në ndërgjegjësimin dhe mobilizimin e Ministrive apo institucioneve të ndryshme, për gjetjen e zgjidhjeve administrative.

Pas një pune disa mujore, me një grup ndërministror ekspertësh, është miratuar Strategjia dhe Plani i Veprimit për Diasporën, për mbështetjen e komuniteteve shqiptare jashtë vendit. Duke qenë një Strategji e hapur për ndryshime, dhe duke qenë “pashtetësia” një problem e cila prek diasporën, po konsiderojmë përfshirjen e aktiviteteve dhe nismave që mbulojnë këtë problematikë, në Planin e Veprimit.

Duke shprehur vlerësimet e mia për iniciativën e organizimit të një aktiviteti të tillë, vlerësoj firmosjen e Memorandumit për veprim të përbashkët në çështjen e eliminimit të pashtetësisë. Edhe për këtë arsye, uroj që diskutimi i sotëm të jetë efektiv dhe të hapë një proces i cili do të vazhdojë.

“Pashtetësia” e shqiptarëve i bën ata jetimët e shtetit të vet. Ata janë një shembull i paaftësisë dhe mungesës sonë kolektive. Njerzit tanë nuk kanë dëshirë të dëgjojnë autokritikat. Ata presin zgjidhjet. Kjo është përgjigja më e mirë. Padyshim.

Ju faleminderit

Postuar më: 08/06/2018