Ernest Koliqi ishte mësues, poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, edhe dramaturg, ministër arsimi në qeverinë Vërlaci, botues dhe petagog. Cilësohet bashkë me Mitrush Kutelin, si bashkëthemelues i tregimit modern shqiptar, ndërkohë si Ministër Arsimi ka meritën për dërgimin e 200 mësuesve në trojet shqiptare jashtë kufijve shtetëror të Shqipërisë.

Ernest Koliqi lindi në Shkodër më 20 maj të vitit 1903, në një familje të madhe tregtare dhe patriotike, me origjinë nga Shiroka. Pas mësimeve të para në Kolegjin Saverian të Jezuitëve, i ati e dërgoi për të studiuar në Itali më 1918. Bashkë me nxënës të tjerë hapi gazetën “Noi giovani” (Ne të rinjtë), ku botoi poezitë e para në italisht.

Në vitin 1921, pas dhjetë vitesh kthehet në Shqipëri, ku edhe iu kushtua fillimisht mësimit të gjuhës shqipe dhe mbi të gjitha, formimit të tij. Në 1923 së bashku me At Anton Harapin dhe Nush Topallin themelon gazetën (fletoren) “Ora e maleve”, tek e cila ishte edhe kryeredaktori, me aktivitet të dendur kulturor dhe politik.

Me Triumfin e Legalitetit shkon në mërgim në veri drejt Mbretërisë Serbo Kroate Sllovene, ku studion gjuhën dhe kundron letërsinë Serbo-Kroate. Ndërkohë botoi poemthin “Kushtrimi i Skanderbegut”. Në Zara të Dalmacisë botoi edhe përmbledhjen e parë me novela më 1929 ku ishte edhe miku i tij, Mustafa Kruja.

Kthehet në atdhe dhe nis punë si mësues në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë. Më 1933 tërhiqet nga mësimdhënia dhe fillon studimet universitare në Padova. Gjatë periudhës 1934-’36 ishte pjesëtar i grupit botues të së përkohëshmes “Illyria”

Më 1938-ën fillon punën si profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Universitetin e Padovës dhe në 1939-ën hapet në Universitetin Shtetëror të Romës Selia e Albanologjisë, Koliqi emërohet profesor i gjuhës dhe letërsisë Shqipe dhe qëndron i tillë derisa doli në pension.

Ndërprerja e vetme ishte pak muaj më vonë kur bëhet Ministër Arsimi i Qeverisë shqiptare. Gjatë kësaj periudhe njihet si nismëtar i mjaft reformave arsimore dhe është përgjegjës për botimin e mjaft teksteve që zunë vend në programet e shkollave fillore dhe të mesme.

Si Ministër Arsimi, më 1940, në Tiranë bashkë me M. Krujën dhe P. Valentinin thirri Kongresin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare, nga i cili, më vonë lindi Institutin i Studimeve Shqiptare me qendër në Tiranë, pararendës i Akademisë së Shkencave. Ndërkohë në 1940 themelon në Tiranë revistën e përkohëshme kulturore “Shkëndija”, numri i parë i së cilës doli më 15 korrik. Deri në mbyllje të saj (shtator 1943), dolën 27 vëllime të kësaj reviste si dhe një numër voluminoz i posaçëm kushtuar At Gjergj Fishtës. Në vitin 1941-1942 është nismëtar i hapjes së shkollave shqipe në Kosovë, duke dërguar 200 mësues e mësuese nga Shqipëria. 12 dhjetori 1941 njihet si datë e hapjes së shkollës së parë të mesme në gjuhën shqipe në Kosovë. Në një letër të vitit 1941 dërguar konsullit shqiptar në Vjenë përmend angazhimin e Joklit si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari. Përpjekje kjo për ta shpëtuar, që nuk dha rezultat. U botuan shumë tekste shkollore e libra në shqip: botimi i historisë së letërsisë në dyvëllimshin “Shkrimtarët Shqiptarë” nën kujdesin e Namik Resulit dhe Gurakuqit; vijoi botimi i përmbledhjeve të folklorit “Visaret e Kombit” me vëllimin e IV prej Hasan Reçit, Spiro Çomos dhe A. Palucës e shumë arsimtarëve të tjerë, duke e çuar deri në XIV vëllime me rëndësi në fillimet e studimit të folklorit.

Koliqi jep dorëheqjen dhe i përkushtohet drejtimit të Institutit të Studimeve Shqiptare, prej ku filloi botimi i vëllimeve “Studime e tekste”. Më 1943 vajti në Romë të vazhdonte punën si titullar i katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në universitet dhe u emërua ambasador në Vatikan. Në këtë kohë martohet me mësuesen Vangjelije Vuçani dhe patën dy fëmijë: Markun dhe Elizabetën.

Në mars të 1947 themelon dhe kujdeset të botojë të përkohëshmen “L’Albanie Libre” që ndaloj së botuari më 1959, e më pas “Lajmëtari i të Mërguemit”.

Me një kontribut edhe në fushën e kritikës letrare dhe të histories së letërsisë, më 1953 Ernest Koliqi do të botojë në Romë studimin “Dy shkollat letrare Shkodrane”. Më 1961 nis të përkthejë Lahutën e Malcís në italisht, përkatësisht këngën XXVI, më tej më 1971 përktheu këngët XII-XIII-XIV dhe XV; më 1973 vazhdon të përkthejë pjesë të Lahutës. Në vitin 1959 boton vëllimin “Kangjelet e Rilindjes” (I canti della Rinascita) me përkthimin në italisht, kushtuar Arbëreshëve të Italisë. Boton studimin “Gabriele D’Annunzio e gli Albanesi” (Gabriel D’Anuncio dhe Shqiptarët). Në 1963 boton “Antologia della lirica albanese” (Antologjia e lirikës shqipëtare) ku paraqiten në një gjuhë evropiane përkthimet dhe lirikat më të mira të autorëve shqiptarë të vjetër e të rinj. Në 1965 publikohet “Albania”, një monografi italisht, botuar në “Enciclopedia dei popoli d’Europa”, Milano ku paraqet një pasqyrë të gjërë mbi Shqipërinë si në pikëpamjen gjeografike, ashtu edhe letrare e historike

Me dekret të Presidentit të Republikës së Italisë, më 2 shtator 1957, Katedra e Gjuhë dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Romës bëhet “Instituti i Studimeve Shqiptare”, kjo falë nderimit dhe punës së palodhur të Koliqit.

Ishte themelues i revistës “Shêjzat” (“Le Pleiadi”) që e drejtoi për 18 vjet, e përkohëshmja kryesore letraro-kulturore e asaj kohe, në vijim të traditës publicistike që la në atdhe me “Shkëndijat”. Ndihmon talente të shumë fushave duke iu dhënë hapsirë ndër faqet e revistës, ndër ta piktori Lin Delija, shkrimtarët Camaj e F. Karakaçi dhe etnologu V. Malaj.

Më 4 maj të 1969 i vdes bashkëshortja Vangjelija, 6 vjet më vonë, më 15 janar 1975 Shuhet në shtëpinë e tij në Romë.

Koliqi i përkiste një shkolle italiane të formimit letrar. Ishte themelues dhe drejtues i tri revistave kulturore: “Ora e maleve”, “Shkëndija” dhe “Shêjzat”. Ernest Koliqi ushtroi edhe profesionin e mësuesit dhe profesorit më shumë se tridhjetë vjet në Padovë dhe Romë të Italisë. Kontributi i Koliqit në fushën e kritikës letrare dhe të historisë së letërsisë është i lidhur me emrin si titullar i katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Romë, me themelimin e Institutit të Studimeve Shqiptare, 1940 në Tiranë, dhe shndërrimin e katedrës së gjuhës dhe letërsisë në “Institutin e Studimeve Shqiptare” në Romë. Me një veprimtari të shkurtër në politikë si Ministër i Arsimit iu përkushtua zgjerimit dhe përhapjes së shkollave shqipe në trevat shqiptare dhe botimeve të shumta në shqip. Veprat e tij më të njohura janë: Kushtrimi i Skanderbegut, Hija e maleve, Tregtar flamujsh, Pasqyrat e Narҫizit, Kangjelat e Rilindjes, Gjurmat e stinve, Symfonia e shqipevet etj.